5 Gusht, 2020 - 10:01 pm
Suada Qorraj
Pandemia që tashmë kishte filluar të përhapej në të gjithë botën shënoi edhe rastet e para në Kosovë në marsin e këtij viti. Që nga ajo kohë Qeveria ka marrë vendime të shumta për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Këto vendime goditën fusha të shumta, duke përfshirë edhe kulturën ku hapja dhe mbyllja e kinemave, teatrove por edhe moslejimi i mbajtjes së eventeve të ndryshme solli një realitet të ri për kulturën dhe botën e artit.
Gjallëria e përhershme verore që mbretëronte në kryeqytetin e vendit, përreth shadërvanit të Prizrenit dhe shesheve e rrugëve të Pejës, këtë vit solli mungesën e festivaleve më të rëndësishme të filmit në vend, PriFestit, Dokufestit dhe Anibarit.
Në realitetin e ri që tashmë po mbretëron në të gjithë botën organizatat kulturore, bota e artit dhe e kulturës është munduar që të gjejë forma të ndryshme për të mbajtur gjallë aktivitetet por edhe publikun e tyre. Në diskutimin “Hajde Folim: Kultura në margjina”, të mbajtur nga Kosovo 2.0 kanë shpalosur vështirësitë dhe punën e bërë që nga filli i pandemisë në vend, drejtueset e disa nga organizatave më të rëndësishme kulturore në vend, Vjosa Berisha, drejtoreshë ekzekutive e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë (PriFest); Alba Çakalli, producente e Festivalit Ndërkombëtar të Filmave Dokumentarë dhe të Shkurtër (DokuFest); dhe Arba Hatashi, drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit.
Alba Çakalli, gjatë këtij diskutimi ka thënë se synim i tyre ka qenë që të mos anulohet mbajtja e DokuFestit, por të arrinin të gjenin alternativa tjera për mbajtjen e këtij festivali. Sipas saj që nga përfundimi i edicionit të kaluar, kan filluar edhe përgatitjet për edicionin e sivjetëm mirëpo ishte muaji mars ai që solli risinë dhe përgjysmimin e filmave në DokuFest. Çakalli gjithashtu ka shtuar se mbase ky realitet i ri do të jetë i mirë për ekipën pasi që për herë të parë edhe ata do të jenë në gjendje që t’i shikojnë të gjithë filmat që transmetohen përgjatë festivalit.
Drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, Arba Hatashi ka theksuar faktin se asnjëherë nuk ka qenë në agjendë pezullimi i Anibarit, madje ajo mundohet që të paraqes anët pozitive të kësaj situate. Sipas saj edicioni online i Anibarit do t’i jap mundësinë e pjesëmarrjes edhe personave që në edicionet e kaluara nuk kanë arritur që të jenë prezent:
“Çka është pozitive është që nëpërmjet mbajtjes online të festivalit mundemi me i ofru programet përtej audiencës që ka ardhë fizikisht në festivale”, ka thënë Hatashi.
Prifesti është i vetmi festival që tashmë ka shtyer datat e mbajtjes mirëpo ende nuk është vendosu në qoftë se ky festival do të mbahet në formatin online apo fizik. Sipas drejtoreshës ekzekutive të këtij festivali, organizatorët tashmë kanë bërë kërkesë në komunën e Prishtinës duke ju paraqitur tre opsione të mundshme të mbajtjes së këtij festivali.
“Jemi në pritje të një përgjigjeje të komunës së Prishtinës ju kemi dërguar një kërkesë duke paraqitur tre opsione të ndryshme të mbajtjes së këtij festivali, i pari është Driving Cinema, ku shfaqja e filmave kryesor do të bëhet në ambiente të hapura kurse pjesa tjetër online, e dyta është open air cinema, me respektim të masave kundër virusit dhe versioni i fundit është forma online”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj nëse vendoset për njërin nga dy format e para atëherë PriFesti do të mbahet që nga 25 gushti, mirëpo në qoftë se vendoset për versionin online atëherë ky festival do të shtyhet për në fund të vitit.
Drejtueset e këtyre organizatave nuk kanë lënë pa përmendur edhe faktin që pandemia ka goditur edhe stafin e këtyre festivale. Sipas tyre shumica e anëtarëve që kanë qenë të angazhuar në kinematë, puna e të cilave është ndalur që nga marsi i këtij viti, tashmë janë caktuar në pozita tjera të menaxhimit online të festivaleve.
Gjithashtu gjatë këtij diskutimi ato kanë shtuar se vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë kanë qenë konfuze e në të njëjtën kohë kanë treguar se qeveria nuk e ka prioritet kulturën. Ato kanë shtuar se edhe sigurimi i donacioneve nga donatorët potencial këtë vit ka qenë më i vështirë për faktin se shumica e bizneseve janë goditur nga pandemia, por dhe se nuk kanë besuar se forma online është mënyre e duhur e marketingut. Vjosa, Alba dhe Arba janë shprehur të lumtura për faktin se tashmë kanë arritur që pjesë të këtyre festivaleve t’i bëjnë edhe njerëzit që tash e sa edicone e kanë pasur të pamundur pjesëmarrjen. / KultPlus.com