2 Dhjetor, 2021 - 9:14 pm
Walt Disney, për herë të parë në historinë e tij 98-vjeçare, ka zgjedhur një grua që të drejtojë gjigandin e argëtimit. Susan Arnold, e cila është pjesë e bordit prej 14 vjetësh, do të zëvendësojë Bob Iger në fund të këtij viti.
Arnold ka qenë ekzekutive e firmës globale të investimit, Carlyle. Iger, dha dorëheqjen në vitin 2020 nga roli i shefit ekzekutiv të Disney, pas 15 vjetësh në detyrë.
“Ndërsa marr rolin e ri të drejtueses së bordit, mezi pres të vazhdoj t’i shërbej interesave afatgjata të aksionerëve të Disney dhe të punoj nga afër me shefin ekzekutiv Bob Chapek teksa ai ndërton mbi trashëgiminë shekullore të risisë dhe krijimtarisë së kompanisë”, tha Arnold në një deklaratë.
Susan Arnold ka mbajtur role drejtuese edhe në disa prej kompanive më të rëndësishme në Amerikë si Procter & Gamble dhe McDonald’s./tvklan.al /KultPlus.com