26 Shkurt, 2023 - 12:30 pm
Viti 2022 ishte vit i politikave sportive dhe i arritjeve kulminante në garat ndërkombëtare. Sportistët tanë na kanë bërë krenarë me paraqitjet e tyre në Kosovë dhe jashtë vendit.
Për të përzgjedhur më të mirët në fushën e sportit për vitin 2022, të shtunën u mbajt ceremonia e çmimeve “Laureatët e vitit 2022”, organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, përkrahur nga Ministria e Sportit.
Aty morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, ambasadorë të vendeve mike, përfaqësues të federatave, sportistë dhe sportdashës.
Xhudistja Distria Krasniqi dhe boksieri Shpejtim Bajoku kanë fituar çmimet kryesore, sportistja dhe sportisti i vitit. Çmimi “Trajneri i vitit” sërish shkoi për trajnerin e xhudos Driton Kuka.
Në këtë ceremoni u ndanë edhe çmime të tjera për sportistët të cilët kanë arritur suksese në garat ndërkombëtare. Skitaristja Kiana Kryeziu fitoi çmimin “Shpresa Olimpike 2022” në konkurrencën e femrave, ndërsa në konkurrencën e meshkujve “Shpresa Olimpike 2022” iu dha xhudistit Dardan Cena. “Çmimin Special” për meshkuj e mori futbollisti Vedat Muriqi, ndërsa për femra ky çmim shkoi për boksieren Donjeta Sadiku.
Kombëtarja e Hendbollit, konkurrenca e femrave u shpërbly me çmimin “Kombëtarja e vitit”, ndërsa i njëjti çmimi i takoi edhe Kombëtares së Kosovës në futboll, konkurrenca e meshkujve.
Për kontributin e dhënë në gazetarinë sportive janë ndarë mirënjohje për Agim Kasapollin, Xhavit Kajtazin dhe Azem Brovinën. Mirënjohje janë ndarë edhe për Federatën e Mundjes së Kosovës, dhe për Shoqatën e Kosovës për Kërkim-Shpëtim që operoi në ndihmë të autoriteteve turke në operacione të kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues./ KultPlus.com