23 Prill, 2025 - 5:58 pm
Distria Krasniqi ka shkëlqyer në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, duke siguruar medaljen e artë për Kosovën në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Në përballjen finale, ajo triumfoi ndaj italianes Odette Giuffrida, duke i sjellë vendit tonë suksesin më të madh në këtë kategori.
Garat për Distrinë nisën me një kalim automatik në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë (1/8 e finales) u përball me serben Milica Nikolić. Krasniqi dominoi këtë duel, duke e detyruar kundërshtaren të bëjë disa gabime që i sollën asaj penalitete të njëpasnjëshme, deri te kartoni i kuq.
Në çerekfinale, ajo përballej me xhudisten nga Holanda, Naomi van Krevel. Distria e filloi ndeshjen me një ‘waza-ari’ dhe më pas e përfundoi me ippon, duke kaluar bindshëm në gjysmëfinale.
Në këtë fazë, ajo u ndesh me spanjollen Ariane Toro Soler, të cilën gjithashtu e mposhti me ippon, duke siguruar një vend në finalen evropiane.
Finalja ndaj Giuffrida-s ishte një tjetër paraqitje dominuese nga Krasniqi, e cila tashmë kishte fituar ndaj saj edhe në dy përballjet e mëparshme. Edhe këtë herë, ajo nuk zhgënjeu, duke e mbyllur ndeshjen me ippon dhe duke i siguruar Kosovës medaljen e artë në këtë kampionat të rëndësishëm./KultPlus.com