Dita Botërore e Meteorologjisë, tema: Në vijën e parë të veprimit klimatik

23 Mars, 2024 - 2:00 pm

Data 23 Mars është Dita Botërore e Meteorologjisë.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bashkë me urimin për këtë ditë, njofton se tema e zgjedhur këtë vit nga Organizata Botërore e Meteorologjisë është “Në vijën e parë të veprimit klimatik”.

Ndryshimi i klimës është një kërcënim real dhe i pamohueshëm për të gjithë qytetërimin tonë.

Kaosi klimatik kërcënon çdo rajon, vend dhe komunitet në tokë. Pra, të gjithë ne duhet të bashkohemi në vijën e parë të veprimit klimatik dhe të luftojmë për një të ardhme më të mirë.

Së bashku ne duhet të ndërtojmë një të ardhme ku të jemi përshtatur më mirë me realitetet e klimës sonë në ndryshim, duke kufizuar dëmet kur godet moti ekstrem, duke përfshirë mbrojtjen e çdo personi në tokë me një sistem paralajmërimi të hershëm.

Dita Botërore e Meteorologjisë shënohet çdo vit më 23 Mars, duke përkujtuar vitin 1950 kur hyri në fuqi Konventa për krijimin e Organizatës Botërore të Meteorologjisë. Ajo tregon kontributin thelbësor të Shërbimeve Kombëtare Meteorologjike dhe Hidrologjike në sigurinë dhe mirëqenien e shoqërisë.

Parashikimi dhe studimi i varësive integrale të reshjeve dhe të prurjeve të lumenjve apo përrenjve është me shumë interes.

Shqipëria u bë anëtare e Organizatës Botërore të Meteorologjisë në vitin 1957.

Sistemet e paralajmërimit të hershëm (SPH) janë jashtëzakonisht të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve të zbutjes së kërcënimeve nga rreziqet natyrore. SPH-të efektive zakonisht përbëhen nga katër elemente kryesore: njohja e rrezikut, monitorimi dhe shërbimi i paralajmërimit, shpërndarja dhe komunikimi dhe aftësia për t’u përgjigjur.

Gjatë viteve të fundit, në Shqipëri janë bërë përparime të rëndësishme sa i përket sistemeve të parashikimit, monitorimit dhe trajnimit të strukturave përkatëse.

Ndër trajnimet e shumta sa i përket sistemeve të parashikimit, ishin edhe ato të titulluar “Parashikimet e motit dhe sistemet e hershme të paralajmërimit”, të organizuar në qytetet e Shkodrës, Podgoricës. Këto trajnime të organizuar nga Prefektura e Shkodrës në bashkëpunim me Forse Montenegro, u financuan nga BE.

Trajnimet rekomanduan që të përmirësohet më shumë dhe të forcohen kapacitetet njerëzore lidhur me parashikimet e motit dhe sistemet e hershme të paralajmërimit.

Shqipëria kërcënohet nga rreziqe të ndryshme natyrore, duke përfshirë, ndër të tjera, përmbytjet, thatësirat, reshjet e dendura të shiut dhe borës, stuhitë e erës, valët e të nxehtit, rrëshqitjet e tokës, ortekët dhe zjarret në pyje.

Përmbytjet dhe ngjarjet ekstreme, të tilla si thatësirat ekstreme e rrëshqitjet e tokës, janë një kërcënim i madh për vendin tonë.

Vlerësimi dhe menaxhimi i mirë i territorit inkurajon ndërveprimin ekonomik dhe formaton në mënyrë të ndërsjellë strukturën e tregjeve. Territori është më tepër se sa një linjë në hartë, është një karakteristikë thelbësore e jetës së përditshme politike dhe sociale./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme