13 Shkurt, 2025 - 1:36 pm
Që prej vitit 2011, 13 shkurti njihet si Dita Botërore e Radios, e shpallur si e tillë nga UNESCO, Organizata Kombeve të Bashkura për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
Radioja është një medium i fuqishëm për të kremtuar njerëzimin në të gjithë diversitetin e tij dhe përbën një platformë për diskursin demokratik. Në nivel global, radio mbetet mediumi më i konsumuar. Kjo aftësi unike për të arritur audiencën më të gjerë do të thotë se radio mund të formësojë përvojën e diversitetit të një shoqërie, të qëndrojë si një arenë ku të gjithë zërat të flasin, të përfaqësohen dhe dëgjohen. Stacionet radio duhet t’u shërbejnë komuniteteve të ndryshme, duke ofruar një shumëllojshmëri të gjerë programesh, pikëpamjesh dhe përmbajtjesh, dhe të pasqyrojnë diversitetin e audiencës në organizatat dhe operacionet e tyre.
Radioja është një medium me kosto të ulët, i përshtatshëm posaçërisht për të prekur komunitetet e largëta dhe njerëzit vulnerabël, duke ofruar një platformë për të ndërhyrë në debatin publik, pavarësisht nga niveli arsimor i njerëzve. Ai gjithashtu luan një rol vendimtar në komunikimin e urgjencës dhe lehtësimin e fatkeqësive.
Radioja është e pozicionuar në mënyrë unike për të bashkuar komunitetet dhe për të nxitur dialogun pozitiv për ndryshim. Duke dëgjuar audiencat e saj dhe duke iu përgjigjur nevojave të tyre, shërbimet e radios ofrojnë larminë e pikëpamjeve dhe zërave të nevojshëm për të adresuar sfidat me të cilat përballemi të gjithë.
Janë disa shkencëtarë të përfshirë në historinë e radios. Radioja e parë me valë u shpik në 1893 në St Louis nga Nikola Tesla. Megjithatë, merita për radion e parë i takoi Guglielmo Marconit, të cilit iu dha patenta e parë për një pajisje radio pa tela (wireless) në Angli, në 1896./atsh/KultPlus.com