22 Prill, 2022 - 12:53 pm
Për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, YIHR KS do të organizojë një aksion rrugor në Sheshin “Skënderbeu” më datë 27 prill, duke filluar nga ora 12:00, përcjellë KultPlus.
Ky aksion rrugor do realizohet së bashku me qytetarët dhe aktivistë duke rikujtuar në mënyrë simbolike numrin e 1620 personave të pagjetur që ende na mungojnë.
“Institucionet e Kosovës janë përgjegjëse për përpjekjet e mangëta dhe sipërfaqësore ndaj çështjeve të ballafaqimit me të kaluarën e sidomos ndaj zbardhjes së fatit dhe vendodhjes së personave të pagjetur. 22 vite pas, ne ende jemi shumë larg paqes së qëndrueshme pasi e vërteta dhe drejtësia për të gjitha viktimat e të mbijetuarit/at e luftës së fundit në Kosovë nuk është vendosur në vend. Duke u përfshirë secili/a nga ne në këtë aksion rrugor do solidarizohemi me familjarët/et e personave të pagjetur që ende ju mohohet e drejta e vërtetës dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com