Dita Ndërkombëtare e Muzeve, Beci: Një fundjavë plot art, traditë e histori në Shkodër

16 Maj, 2024 - 1:36 pm

Dita Ndërkombëtare e Muzeve e cila kremtohet çdo 18 maj, do të jetë një përvojë e mrekullueshme për të gjithë vizitorët në qytetin e Shkodrës. Një sërë institucionesh si bashkia e Shkodrës, DRTK Shkodër, Muzeu Marubi etj,  janë bërë bashkë për t’i sjellë publikut një mori aktivitetesh dhe takimesh kulturore me në qendër edukimin, kërkimin shkencor dhe promovimin e vlerave muzeore të Shkodrës.

Festa nis ditën e premte, 17 maj, në kalanë e Rozafës, e quajtur me këtë rast si “kalaja e mrekullive” ku publikun e presin biseda, facepainting, kuice, arkeologji, trashëgimi, pikturë, muzikë dhe argëtim për fëmijët që nuk duhen humbur.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci postoi në rrjetet sociale një kalendar të eventeve të fundjavës, që siç shkruan ai do të jetë plot art, traditë e histori.

Në programin e datës 17 është workshop-i “Komunizmi përmes dokumenteve arkivore”, instalacioni “Zërat e kujtesës”, një ekspozitë e dorëshkrimeve të vjetra, ekspozitë mbi xhubletën, në muzeun “Oso Kuka” si dhe “Muzat”, një performancë poetike.

Po të premten do të ketë edhe një ekspozitë të arkitektëve.

Ndërsa më datën 18 maj, aktiviteteve të mësipërme do t’u shtohet ekspozita e partiturave, shoqëruar me një koncert vokal me vepra të kompozitorëve të qytetit. Gjithashtu në Muzeun e Fotografisë “Marubi” do të ketë punëtori “Magjia e fotografisë” dhe “Manjikana” frymëzuar nga kultura japoneze si dhe do të ofrohen vizita me guidë në ekspozitën e dinastisë Marubi./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme