28 Shtator, 2023 - 12:00 pm
28 Shtatori është Dita e të Drejtës për Informim, e njohur ndërkombëtarisht si Dita e Aksesit Universal në Informacion (International Day of Universal Access to Information). Promovimi dhe nxitja e kulturës së transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike është një nga elemetet kyç të mirëqeverisjes dhe funksionimit të demokracisë.
Prej vitit 2019 kjo datë është njohur zyrtarisht nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa UNESCO e kremton atë prej vitit 2015.
Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për Informim u vendos si e tillë në përfundim të Konferencës “Për lirinë e informimit”, e zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, në 26-28 shtator 2002, me pjesëmarrjen edhe të Shqipërisë.
Me këtë rast, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners – ICIC), pjesë e të cilit prej vitit 2021 është edhe Komisioneri shqiptar, kanë përgatitur një video-mesazh ndërgjegjësues.
“85 autoritete nga rajone të ndryshme të botës, janë angazhuar për praktika më të mira dhe të promovojnë përhapjen e informacionit, për të përmirësuar llogaridhënien dhe cilësinë e demokracisë duke forcuar strategjitë dhe mekanizmat për zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit”, thotë në videon sensibilizuese, Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave. /atsh / KultPlus.com