25 Qershor, 2024 - 3:48 pm
Sot është ditëlindja e 88 e Rexhep Qosjes. Edhe sikur të mos kishte shkruar asgjë tjetër, ai do të mbetej në letërsinë dhe kulturën shqiptare me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), i cili solli një poetikë të re tek ne dhe, deri sot, mbetet romani më i njohur dhe më i përkthyer i Kosovës.
Ag Apolloni
Kështu, sot është 88-vjetori i Rexhep Qosjes, ndërsa sivjet është 50-vjetori i postmodernizmit në letërsinë shqipe, 50-vjetori i poetikës që inaugurohet me romanin e parë të tij.
Meqë autorët postmodernë i karakterizon erudicioni, ai nga vitet ‘80 u pa më shumë si dijetar sesa si shkrimtar. Në vitet ‘80 ai shkroi monografinë më të madhe mbi romantizmin shqiptar, në tre vëllime, dhe njëkohësisht bëri luftë të ashpër kundër intelektualëve dhe shkrimtarëve serbë dhe maqedonë, që falsifikonin të vërtetën mbi shqiptarët.
Në vitet ‘90, Kosova krahas Presidentit, kishte edhe Dijetarin, prandaj nuk është çudi që politikanë dhe delegacione të rëndësishme diplomatike perëndimore, krahas vizitave protokollare me përfaqësuesit politikë të vendit, bënin vizita edhe në zyrën, ose në shtëpinë e Dijetarit.
Për punën e tij letrare dhe atdhetare, Rexhep Qosja është vlerësuar në Shqipëri, por jo edhe në Kosovë, ku, çuditërisht, gjatë 25 vjet lirie, është shpërfillur nga institucionet kulturore, arsimore dhe politike:
– Universiteti i Prishtinës nuk i ka dhënë titullin Professor Emeritus, as titullin Anëtar Nderi, as Doctor Honoris Causa.
– Ministria e Kulturës nuk e ka nderuar me ndonjë çmim vjetor, dhe as me Çmimin për Vepër Jetësore.
– Presidentët/presidentet nuk i kanë dhënë asnjë dekoratë presidenciale nga gjithë ato dekorata të përcaktuara për qytetarë të merituar të Kosovës dhe për Kosovën. E, nga viti 2003 deri sot, Presidenca e Kosovës ka dhënë 2757 dekorata presidenciale (përfshirë edhe atë për emisionin Fiks Fare), si dhe 94 mirënjohje presidenciale (përfshirë edhe ato për Elkos, Coca Cola, Ipko, Devolli, Al Petrol, HIB Petrol, Birra Peja, Bechtel Enka, M&Sillosi, Viva Fresh, Meridian Express etj.).
Rexhep Qosja, me të gjitha mjetet intelektuale, i ka mbrojtur shqiptarët e Kosovës në dekadat më të vështira të saj. Zyra e tij është thyer dy herë: herën e parë më 1999, nga militarët serbë, herën e dytë më 2006, nga “pacifistët” kosovarë.
Rexhep Qosja nuk është vetëm i Kosovës. Ai është ideolog dhe autor i ‘Strategjisë së Bashkimit Kombëtar’. Ai vjen nga Mali i Zi, ka mbrojtur fuqishëm të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, qe shtatëdhjetë vjet jeton, punon dhe krijon në Kosovë, qe tridhjetë vjet veprat i botohen ekskluzivisht në Shqipëri. Kështu, ai, përveç strateg, është edhe simbol i Bashkimit Kombëtar, që është projekti më i madh politik shqiptar.
Është ligj i natyrës që gjithçka të ndryshojë. Një ditë do të ndryshojë edhe kjo indiferencë institucionale ndaj kontributeve kapitale intelektuale.
Prandaj: Gëzuar, Profesor Qosja!