27 Maj, 2021 - 10:25 am
Aktiviteti ‘Ditët e Informimit për Cilësinë e Ajrit’ që ka për qëllim të informojë publikun lidhur me rreziqet shëndetësore të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që ata duhet ndërmarrë për të mbrojtur veten, duke ndryshuar sjelljen e tyre dhe duke u përpjekur të ulin nivelin e ndotjes së ajrit do të vijnë në tetë komuna të Kosovës.
Më konkretisht, qytetarët do të informohen për temat si në vijim:
· Çka është ndotja e ajrit;
· Burimet kryesore të ndotjes së ajrit;
· Rreziqet shëndetësore që shoqërohen me ndotjen e ajrit;
· Sjellja e rekomanduar për t’u mbrojtur nga cilësia e dobët e ajrit;
· Sjellja e rekomanduar për të zvogëluar ndotjen e ajrit;
· Burimet e besueshme të informacioneve lidhur me ndotjen e ajrit, rreziqet shëndetësore dhe sjellja e rekomanduar, me prezantim të Portalit të ri të Cilësisë së Ajrit nga IHMK, Aplikacionit të Cilësisë së Ajrit për telefona të mençur, dhe faqen e internetit të IKSHP-së për Cilësinë e Ajrit.
Përveç informacioneve të prezantuara për publikun e gjerë, informacione të veçanta do t’u jepet edhe grupeve të synuara të cenueshme, siç janë: njerëzit e moshuar, fëmijët, njerëzit me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna. Për fëmijët do të organizohen aktivitete të veçanta të lojës dhe mësimit, në bashkëpunim me OJQ-në “Science for Change Kosovo”.
Ditët e Informimit për Cilësinë e Ajrit do të mbahen në tetë komuna të Kosovës dhe kjo seri e ngjarjeve fillon të enjten, më 27 maj 2021, ku dita e parë e informimit do të mbahet në Fushë Kosovë në Gjimnazin “Hivzi Sylejmani”, ndërsa për qytetet tjera dhe ditët e mbetura të informimit do të ipen informacione me kohë.
Ngjarjet do të mbahen gjatë gjithë ditës, nga ora 10:00 – 16:00, dhe ftohen qytetarët që kurdo që ata kanë kohë të lirë të vizitojnë lirisht ngjarjet e organizuara. Në këto ngjarje, të cilat do të mbahen në ambiente të jashtme, përveç nëse ka reshje të papritura të shiut ose kushte tjera të motit të lig, me ç’ rast aktivitetet do të mbahen në ambiente të brendshme, do të respektohen masat mbrojtëse kundër COVID-19.
‘Ndotja e ajrit, e shkaktuar më së shumti nga ekonomitë familjare, por edhe nga industria dhe trafiku, ka bërë që numri i vdekjeve të parakohshme të rritet, si
dhe ka shkaktuar rritjen e numrit të personave me sëmundje kronike të bronkitit dhe hospitalizimit. MCC u ofron përkrahje institucioneve lokale që të ngrisin vetëdijen lidhur me shkaktarët e ndotjes së ajrit. MCC ka përkrahur institucionet në zhvillimin e një sistemi modern për monitorim efektiv dhe raportim në kohë reale të të dhënave lidhur me cilësinë e ajrit në Kosovë. Ky intervenim ka për qëllim të ndihmojë qytetarët që të informohen lidhur me rreziqet që u kanosen nga ndotja e ajrit dhe mënyrën se si duhet të kujdesen duke gjetur zgjidhje për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe ambientin’, – tha Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC për Kosovë.
Për Petrit Selimi, Kryeshef Ekzekutiv i MFK – Ajri i pastër nuk është problem i stinës së dimrit apo i stinës së verës.’ – Është një nga sfidat më të rëndësishme për një jetë të shëndetshme në Kosovë. MFK ka mbështetur Kosovën me ndërtimin e një sistemi të besueshëm të monitorimit dhe raportimit të ndotjes së ajrit, dhe ne shpresojmë që hapi i radhës do të jetë realizimi i politikave dhe instrumenteve të përshtatshme për të ndihmuar kosovarët në mënyrë që të kënaqen në ajër më të pastër ‘.
Letafete Latifi, Drejtoreshë e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, i vlerëson ngjarjet si shumë të rëndësishme:
‘Në këto ngjarje IHMK do të prezantojë Platformën e Informimit për Cilësinë e Ajrit në Kosovë. Përmes kësaj platforme, qytetarët do të informohen mbi cilësinë aktuale të ajrit, si dhe mund të mësojnë për parashikimin e cilësisë së ajrit në ditët në vijim. Kjo platformë ofrohet si aplikacion për telefona të mençur por edhe si faqe e internetit. Publiku do të informohet për burimet më të zakonshme të ndotjes së ajrit, çka është ndotja e ajrit dhe ndryshimet e sjelljes që duhet të bëhen për të zvogëluar ndotjen e ajrit’.
‘Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mirëpret dhe vlerëson angazhimin me komunitetin për të diskutuar rreth këshillave shëndetësore dhe rekomandimeve në lidhje me ndotjen e ajrit, veçanërisht gjatë stinës së dimrit. Ne do të përfaqësohemi nga Departamenti i Edukimit dhe Promovimit Shëndetësor, të udhëhequr nga Prof. Drita Salihu, si dhe specialistë të tjerë’, tha Antigona Dervishaj nga IKSHP-ja.
‘OJQ ‘Science for Change Kosovo’ do të mbajë aktivitete një-orësh me fëmijët e klasave 6 – 9. Këto aktivitete organizohen në formatin e lojës dhe mësimit, dhe fokusohen në dhënien e informacioneve rreth cilësisë së ajrit dhe efekteve të ndotjes së ajrit në shëndet.’ – tha Valon Hoxha, koordinator i projektit në SfCK.
Ditët e Informimit për Cilësinë e Ajrit janë një pjesë përbërëse e një fushate ndërgjegjësimi në të gjithë vendin për ndotjen e ajrit dhe cilësinë e ajrit, promovuar me sloganin ‘Ajër më i pastër për shëndet më të sigurt’. Fushata
është një nga aktivitetet kryesore brenda fushëveprimit të projektit “Furnizimi i shërbimeve të menaxhimit të projektit, të menaxhimit të informacionit për cilësinë e ajrit, të ndryshimit të sjelljes dhe i shërbimeve të komunikimit ”(Projekti i Cilësisë së Ajrit), financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) përmes Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK) dhe zbatuar nga Konzorciumi NIRAS në mbështetje të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AKMM).
Projekti i Cilësisë së Ajrit është një aktivitet i zbatuar nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës, një subjekt i përgjegjshëm dhe përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes për programin ‘Threshold’ prej 49 milionë dollarë amerikanë, të nënshkruar nga Republika e Kosovës dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në vitin 2017. Deklarata e misionit e MFK-së bën thirrje për përshpejtimin e tranzicionit të Kosovës në pavarësi energjetike dhe qeverisje të mirë. Programi ‘Threshold’ i Kosovës adreson dy pengesa kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës: furnizimi jo i besueshëm me energji elektrike dhe dobësia reale dhe e perceptuar në sundim të ligjit, llogaridhënie të qeverisë dhe transparencë. Ky projekt posaçërisht synon të përmirësojë disponueshmërinë publike dhe përdorimin analitik të të dhënave mjedisore nga bizneset, qeveria, shoqëria civile dhe OJQ-të, duke promovuar kështu vendimmarrjen e drejtuar nga të dhënat. / KultPlus.com