5 Nëntor, 2023 - 8:53 am
Për nder të ditëve të kulturës shqiptare në prefekturën e Karllovacit, të shtunën, u mbajt koncert në Teatrin e qytetit të Karllovacit, “Zorin Dom”, njofton Unioni i Shqiptarëve të Republikës së Kroacisë.
Bëhet e ditur se në këtë koncert performoi Shoqëria Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, e Maqedonisë së Veriut, e cila pati një performancë të mrekullueshme, bashkë me ekipin e këngëtarëve dhe valltarëve.
“Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të shumta si Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Ekselenca e tij z. Riza Poda, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut Ekselenca e tij z. Milaim Fetai, Ambasadori i Republikës së Kosovës Ekselenca e tij dr.Martin Berishaj, i dërguari i kryetarit të prefekturës së Karllovacit z. Marin Svetić, kryetarja dhe nënkryetari i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Shkëndija” znj.Gentiana Lleshdedaj dhe z. Behar Mullajupi, Kryetari i Bashkësisë Shqiptare të prefekturës së Zagrebit z. Sejfedin Prekazi , Kryetari i Shoqatës së Vullnetarëve Kroatë të Luftës Atdhetare z. Tom Kaqinari e shumë anëtarë të tjerë të shoqatave Shqiptare në Kroaci, poashtu pati edhe shumë të pranishëm në sallë kryesisht bashkëkombës shqiptarë që jetojnë në Kroaci”, njofton, përmes një postimi, Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë.
Ky aktivitet u organizua nga Bashkësia Shqiptare e prefekturës së Karllovacit, dhe si bashkorganizator ishin Unioni i Shqiptarëve në Kroaci, qyteti i Karllovacit, Këshilli i pakicave kombëtare, si dhe Deputetja Shqiptare në Parlamentin Kroat znj. Ermina Lekaj Prljaskaj.
Gjithashtu, bëhet e ditur se koncerti përfshiu këngë dhe valle shqipe , si dhe veshjet tradicionale shqiptare. Kurse me të përfunduar koncerti, të gjithë të pranishmit morën pjesë në një koktej rasti, ku kishte edhe llojllojshmëri të ushqimeve tradicionale shqiptare të cilat ishin të përgatitura nga familjet shqiptare në prefekturën e Karllovacit./rtk/KultPlus.com