23 Korrik, 2024 - 12:20 pm
Gjakova mirëpret edicionin e parë të festivalit “Ditët e Shqiptarit”. Më shumë se muzikë, filma e valle, do të jetë një festë e madhe e artit, kulturës dhe traditës. Njerëz nga Kosova dhe më gjerë do të tubohen për t’u argëtuar në qytetin e Gjakoves, për të festuar përgjatë këtij aktiviteti.
“Ditët e Shqiptarit” do të mbahet në datat 25 – 27 korrik dhe 1 – 4 gusht. Ky festival ka për qëllim të paraqesë identitetin dhe kulturën shqiptare, me larmi aktivitetesh që do të ofrojnë një përvojë të pasur për të gjithë pjesëmarrësit.
Në festival do të jenë të pranishëm emra të mirënjohur me origjinë gjakovare, grupe muzikore e artistë të zhanreve të ndryshme që do të sjellin atmosferë të veçantë në skenat e Gjakovës.
Disa nga emrat më të spikatur që do të performojnë janë Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Dren Abazi, Shpat Deda, Nezafete Shala, Offchestra, Ethnically Plugged, Edona Reshitaj, Grupi NA, dhe shumë të tjerë. Përveç muzikës, nuk do të mungojnë as aktivitetet për dashamirësit e letërsisë dhe poezisë, ku poezitë do të jenë pjesë e pandashme e festivalit./atsh/KultPlus.com