Ditët Evropiane të Trashëgimisë, aktivitete të shumta nga Muzeu “Marubi”

16 Shtator, 2024 - 11:43 am

Ditët Evropiane të Trashëgimisë janë festuar në Shqipëri gjithnjë gjatë muajit shtator, duke kulmuar me Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Këtë vit, Ditët Evropiane të Trashëgimisë 2024 do të festohen nga data 23 deri më 29 shtator duke trajtuar temën “Rrugëtimet, rrjetet dhe ndërlidhjet”.

Frymëzuar nga kjo temë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka ndërtuar një program i cili i kushtohet zhvillimit të arteve pamore dhe ndërlidhjes së fotografëve të Dinastisë Marubi dhe Kolë Idromenos.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet rrugëtimeve të Pietro Marubbi-t nga Italia në Shqipëri e në Malin e Zi.

Programi pasurohet me punëtori dhe biseda mbi veprimtarinë dhe kontributin e Kolë Idromenos në qytetin e Shkodrës, me synim pasurimin e mëtejshëm të projektit “Rrjeti Kulturor Marubi-Idromeno”.

Muzeu ftoi artdashësit t’i bashkohen këto ditë, në Shkodër, duke publikuar edhe një pjesë të aktiviteteve që do të zhvillohen:

23 shtator – Arkivi i programit të edukimit të Muzeut Marubi nën kujdesjen e Tereza Çuni

24 shtator – “Një guidë në arkitekturën e Idromenos”, bisedë nga Sabrina Kuçi dhe Fatjon Mlloja

25 shtator – “Kur të rinjtë shkodranë nisën të ëndërrojnë të bëhen piktorë”, bisedë nga Eleni Laperi

26 shtator – Çfarë fsheh qyteti? Rrugëtimi Marubi – Idromeno në Shkodër, punëtori

27 shtator – “Historia e fotografisë në Malin e Zi”, bisedë nga Maja Djurić dhe “Mali i Zi në fotografitë Studios Marubbi”, bisedë nga Tatjana Koprivica dhe Slavko Burzanović

28 shtator – “Marubi, la memoria della luce”, film dokumentar nga Tomás Sheridan./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme