12 Gusht, 2023 - 7:11 pm
Edhe këtë vit, ashtu siç është bërë traditë tanimë prej 9 vitesh, ka marrë jetë “Divani Lunxhot”, një festival ku promovohet tradita dhe kultura e zonës së Lunxherisë.
Këtë vit në festivalin “Divani Lunxhot”, një prej festivaleve më të rëndësishme të krahinave jugore të vendit, morën pjesë 12 grupe folklorike, përveç ansamblit “Lunxheria”.
Festivali dyditor po mbahet në fshatin Dhoksat, në syrin e qindra vizitorëve vendas e të huaj. Ky fshat është dhe pjesë e programit të 100 fshatrave. Festivali është një kolazh muzike, kostumesh të zonës. Eventi është edhe një dedikim për kulinarin lokale, produktet e stanit dhe bletarinë.
Një vëmendje të veçantë në festival kishte dhe ruajtja e kostumeve tradicionale, duke sjellë shembullin e transmetimit të brez pas brezit të qepjes së kostumeve. Gjatë festivalit u prezantuan dhe kostumet më të vjetra të zonës.
Pjesë e festivalit ishte dhe ansambli i grave të minoritetit grek. Ky ansambël solli për publikun valle me motive më shumë se 200- vjeçare. Pjesë e festivalit janë grupe të Maqedonisë së Veriut, emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe shumë grupe nga rajone të ndryshme të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com