3 Qershor, 2020 - 11:58 am
Divjaka është një qytet i ri, por që ka një histori të lashtë që lidhet me Qytetin e Humbur Arnisa dhe me “Via Egnatian” e Romës së Vjetër. Vetë emri i saj rrjedh pikërisht nga kjo rrugë që lidhte Apoloninë me pjesën e saj që vinte nga Durrësi, e bashkoheshin në Klodiana ose Peqini i sotëm. Divjaka ose Due Vie, Dy Vijat, shtrihej në kodrat ku bashkoheshin këto dy rrugë, nga ku i ngeli dhe emri.
Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar, natyrorë, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj. Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.
Shembulli më domethënës për këtë është Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur mësë miri nga moratoriumi i gjuetisë dhe pylli i dendur.
Objektivi kryesor është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm, janë edhe shpendë të tjerë si flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla, rosat e egra, çafkat, karabullakët etj, që kanë pushtuar lagunën dhe grykëderdhjen e Shkumbinit.
I kontaktuar së fundmi me Kryetarin e Bashkisë, Fredi Kokoneshi, mësuam për investimet e bëra në tokat bujqësore, në urbanistikën e qytetit, në shkolla e kopshte, por edhe në fushën e turizmit.
Vetëm këtë vit, nga janari e deri më tani, në këtë park janë futur rreth 400 mijë vizitor vendas dhe të huaj. Turistë të ardhur nga vendet evropiane apo edhe më larg, numërohen rreth 30 mijë që janë shoqëruar nga punonjësit e parkut. Vendet më të preferuara kanë qenë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku mbretërojnë Flamingot dhe shumë lloj të tjera shpendësh, dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.
Tashmë vizitorët nuk janë kurioz të çlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër.
Zbatimi i moratoriumit për ndalimin e gjuetisë, në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së egër. Flamingot dhe pelikanët që popullojnë lagunën e Karavastasë, kanë tërhequr vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në park. Divjaka është një mbretëri natyrore, që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit… / KultPlus.com