Djali i Sami Frashërit themeloi klubin e futbollit “Galatasaray”, fanellat kishin ngjyrat kuq e zi

29 Korrik, 2020 - 2:08 pm

Ali Sami Yen, shqiptari që ia kushtoi jetën Galatasaray-it dhe futbollit turk.

I biri i Shemseddin Sami Frashërit, njërit prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe asaj turke, Ali Sami Yen (Ali Sami Frashëri), përkujtohet në 69-vjetorin e vdekjes, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ali Sami Yen i cili është themeluesi i klubit gjigant futbollistik nga Stambolli, Galatasaray, ia ka kushtuar gjithashtu jetën futbollit turk.

Biri i dytë i Shemseddin Samiut, Ali Sami Yen është lindur më 20 maj të vitit 1886 në Stamboll.

Ai shkollim e tij të parë e ka marrë nga babai i tij ndërsa më pas është dërguar në liceun e Galatasaray-it. Yen, gjatë arsimit ka ndjekur nga afër zhvillimet politike, letrare dhe sportive të periudhës. Me një grup shokësh të klasës vendosën të krijojnë një klub futbolli. Ali Sami Yen dhe shokët e tij në tetor të vitit 1905 krijuan klubin Galatasaray në një klasë të letërsisë. Ai u bë themeluesi numër një i klubit dhe kryetari i parë.

“Qëllimi ynë është të luajmë kolektivisht si britanikët, të posedojmë një ngjyrë dhe emër dhe t’i fitojmë klubet jo-turke”, ishte synimi i themeluesit të Galatasaray-it, Ali Sami Yen.

Ai ka qenë edhe mesfushori i klubit, një futbollist i dalluar në mesin e të tjerëve ndërsa kah fundi i vitit 1907 në një ndeshje kundër klubit nga rrethi Kadıköy i Stambollit të cilin e fituan me rezultatin 3-0 i ishte thyer këmba. Pas kësaj ai nuk arriti të luaj si më parë dhe i dha fund karrierës në futboll.

– 14 vite kryetar i klubit

Ali Sami Yen, plotë 14 vite ishte kryetari i klubit Galatasaray.

Ai nga viti 1905 kur u themelua klubi e deri në vitin 1918, 13 vite pa ndërprerë ishte kryetari i klubit ndërsa më vonë në 1925 përsëri u bë kryetar i klubit për një vit.

Ali Sami Yen me sukses e menaxhoi Galatasaray-in në një periudhë të vështirë për Perandorinë Osmane dhe në periudhën kur ndodhte Lufta e Parë Botërore.

Ai gjithashtu bëri punë të rëndësishme për zhvillimin e fushave të ndryshme të sportit në Turqi.

– Trajneri i parë i kombëtares së futbollit të Turqisë

Ali Sami Yen, gjithashtu është edhe trajneri i parë i kombëtares së futbollit të Turqisë.

Pasi Turqia u anëtarësua në FIFA, ndeshjen e parë e luajtën më 26 tetor 1923 në stadiumin “Taksim” Stamboll kundër Rumanisë.

Turqia nën drejtimin e Ali Sami Yen barazoi 2-2 me Rumaninë.

Ai gjithashtu ka qenë kryetari i parë i organizatës së parë sportive në Turqi të themeluar në vitin 1922 si dhe kryetari i Komitetit Kombëtar Olimpik të Turqisë.

Ali Sami Yen u bë themeluesi i muzeut të parë sportiv si dhe shkrimtari i librit të parë të futbollit në Turqi.

Ndërroi jetën në moshën 65-vjeçare, më 29 korrik 1951.

Një kuriozitet sa i përket fanellave të SK Galatasaray:

Në fillimet e saja, atëherë kur edhe e themeloi, fanellat e SK Galatasarayit kishin ngjyrat kuq e zi, si dhe në anën e majtë emblemën me shqiponjën dy krerëshe, që simbolizonte edhe vet origjinën e Ali Sami Frashërit. Por me kalimin e kohës nga vetë shteti otoman, u detyruan dhe u obliguan që të hiqeshin fanellat me ngjyrën kuq e zi dhe ta hiqnin shqiponjën si emblemë të klubit, e t`i zëvendësonin me ngjyra verdh e kuq, që edhe sot e kësaj dite i bart SK Galatasaray.

Një kohë ka qenë edhe kryetar i shoqatës së arbitrave të Turqisë. Pas vdekjes së Ali Sami Frashërit drejtuesit e klubit Galasaray vendosën që stadiumit t`ia lënë emrin e legjendës së futbollit dhe sportit turk, emrin e shqiptarit tonë të madh “Ali Sami Yen”. Emrin e tij, Ali Sami Yen, mbanë edhe një rrugë në Stamboll. Kurse fjala Yen në biografinë e tij ishte pseudonimi, sepse ashtu e quanin dhe e njihnin dashamirët e futbollit turk, Ali Sami Yen./ KultPlus.com

Të ngjajshme