20 Tetor, 2020 - 9:25 pm
Nga Kujtim Morina
Do të sjell në këtë fjalë të shkurtër përshtypjet e mia nga konsultimet e vazhdueshme me poetin Ragip Sylaj për përkthimin e poezisë së tij dhe ndonjë moment të veçantë në komunikim me të. Poezia e tij ka nëntekste të pasura, referenca që duhet të thellohesh t’i njohësh edhe në konsultim me autorin ndryshe mund të gabosh në të kuptuar dhe në të përkthyer gjithashtu.
Nuk ka qenë Ragipi ai që më ka nxitur vazhdimisht të përkthej poezinë e tij. Edhe po të kishte ndodhur ngaqë ishim miq për shumë vite, nuk kishte ndonjë gjë të keqe sepse çdo autor do që të lexohet e të përkthehet. Konsultimet me të janë përqendruar më shumë në qartësimin në kuptim të vargjeve të ndryshme, në zëvendësimin e përzgjedhjes së bërë nga autori të disa poezive të gjata me disa më të shkurtra me frikën e përkthyesit që nuk do të arrinte të ruante tempin dhe cilësinë e përkthimit dhe të semantikës deri në fund aq më tepër nga shqip në anglisht. Natyrisht se duke qenë vetë nga një zonë kufitare me Kosovën, e kam kuptuar më lehtë leksikun e përdorur prej tij qoftë edhe dialektizmat dhe ngjyrimet e ndryshme të gjuhës.
Edhe paraqitja e Ragipit në revistën letrare irlandeze “The Galway Review” me katër poezi në vitin 2017, me ndihmën e redaktorit përgjegjës të kësaj reviste, Ndrek Gjinit, mendoj se ishte dinjitoze përfshirë edhe botimin në variantin print të revistës sepse katër poezi konsiderohen shumë në një revistë të huaj.
Unë kam pasur miqësi të vazhdueshme me poetin Ragip Sylaj qysh kur banoja në Kukës dhe merrnim pjesë shpesh në aktivitete me shkrimtarin Petrit Palushi tek Shtëpia e Fellbahut në Suharekë apo i ftonim krijuesit e Suharekës në Kukës. Pas këtyre aktiviteteve, bëheshin biseda të ngrohta, shumë miqësore dhe interesante për temat lidhur me letërsinë dhe artin. Mendoj se ka qenë fatlume gjithashtu edhe për krijuesit e tjerë që Ragipi ka qenë me vite gazetar i kulturës në gazetën “Zëri” sepse besoj se nuk bënte diferencime në paraqitjen e librave të rinj me hatra e hutra apo për shkak të miqësisë apo antipatisë personale se besoj ai nuk kishte apo nuk krijonte armiq me natyrën e tij.
Vecanërisht më ka pasë bërë përshtypje cikli i poezive “Këngët e Ngashërimit” përfshirë në librin e tij “Eliksir” botuar nga shtëpia botuese Rozafa në 2007. Për këtë libër kam shkruar edhe një artikull në shtyp në atë kohë. Dukej se ishte një depërtim më i thellë në nënvetëdijen e autorit, një bisedë me vetveten, një përpjekje e vazhdueshme për të njohur unin dhe egon e tij që është shumë e rëndësishme në poezi.
Do të sjell vetëm një moment për modestinë që tregonte Ragipi në komunikimin me njerëzit. Pasi e zuri sëmundja, në një bisedë me të përmes internetit e pyeta direkt si je, se e dija që vazhdonte seancat e terapisë në Prishtinë. “Do të doja të isha më mirë” m’u përgjigj, pa u zgjatur më shumë dhe e kapa nëntekstin se kaq donte të tregonte për të mos e rënduar bisedën apo ngarkuar edhe mua.
Dëshiroj të falënderoj drejtuesit e komunës Suharekë për mbështetjen e këtij botimi dygjuhësh të poezisë së Ragip Sylaj dhe përfshirjen time në këtë projekt, piktorin Refki Gollopeni si nismëtar i këtij projekti, mik i ngushtë i Ragipit dhe imi, shtëpinë botuese “Multimedia” me drejtor Jeton Neziraj që mori përsipër botimin e këtij libri si dhe të gjithë krijuesit e të gjithë ata që kam takuar e jam njohur këtu për pritjen vëllazërore./ KultPlus.com