3 Dhjetor, 2019 - 10:42 am
Më 24 prill 2002, Gjilanin e goditi një tërmet me fuqi mbi 5 ballë të shkallës Rihter. Të nesërmen, këtë qytet e vizitoi presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili pos që premtoi ndihmën e institucioneve në përballimin e gjendjes, njëkohësisht i ngushëlloi të dëmtuarit duke iu thënë se kjo është prej Zotit.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e njoftoi presidentin Rugova me pasojat e tërmetit, i cili la një të vdekur, që ishte humbja më e madhe, mbi 100 të lënduar si dhe dëme të konsiderueshme materiale.
“Mbi 7 mijë banorë jetojnë nën tenda, ndërsa rreth 80 për qind e qytetarëve të kësaj komune nuk kanë guxim të kthehen nëpër shtëpitë e veta, nga frika e dridhjeve të reja, të cilat po vazhdojnë për çdo ditë”, kishte thënë Haziri.
Pasi i ka shprehur keqardhje kryetarit të Komunës për këtë fatkeqësi natyrore, presidenti Rugova ka thënë se kjo është prej Zotit dhe ajo që vjen prej Zotit është më lehtë e përballueshme.
“Të lënduarit Zoti i shpëtoftë dhe do t`i shpëtojë”.
Presidenti Rugova, i përcjellë nga kryetari Haziri dhe komandanti i SHPK-së Sheremet Ahemti, vizitoi zonat më të dëmtuara dhe kaloi nëpër qendrën e qytetit për t’u njohur drejtpërdrejt me pasojat e tërmetit.
Po ashtu presidenti vizitoi qytetarët e vendosur në tenda, si dhe spitalin e qytetit, që nuk po i zinte brenda gjithë të lënduarit, të cilëve u dëshiroi shërim të shpejtë.
Presidenti Rugova e lavdëroi punën e spitalit të Gjilanit, duke thënë se ekipet e tij kanë bërë punë të mrekullueshme.
Po ashtu, punë të mirë kanë bërë edhe institucionet e tjera, si policia, TMK-ja, KFOR-i, UNMIK-u dhe kjo është edhe një fakt se ne po forcohemi, po forcohen institucionet e Kosovës dhe duhet të jemi të gatshëm për çdo rast, u shpreh presidenti.
I pyetur sesi e vlerëson reagimin e shpejtë të TMK-së, presidenti Rugova tha se punën e tyre e çmon shumë pozitive dhe të shkëlqyeshme dhe për këtë punë ata edhe janë, jo vetëm për raste të luftës, por edhe në raste të rregullta, për ndërtim, për ndihmë të qytetarëve, për rastet që vijnë nga zoti dhe të këqijat e tjera.
Presidenti Rugova tha se tani ndihmat duhet të orientohen nga Gjilani për kapërcimin e gjendjes.
“Natyrisht do të shikojmë se çka mund të bëjmë nga buxheti i Kosovës”, tha presidenti Rugova në Gjilan, pas tërmetit, i cili e goditi këtë qytet dhe rrethinën e tij./MediaFokus/ KultPlus.com