26 Korrik, 2024 - 2:41 pm
Filmi dokumentar “Bekim Fehmiu”, me regji nga Valmir Tertini dhe produksion të shtëpisë kinematografike “CINEMANIA”, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, mban premierën boshnjake të tij, jashtë konkurrimit në Sarajevo Film Festival.
Dokumentari sjell dy intervista ekskluzive të bashkëshortes së Bekim Fehmiut, Branka Petriç Fehmiu, si dhe kujtime dhe rrëfime sjellin edhe personalitete të tjera të artit.
Ky dokumentar e ka pasur premierën në Tiranë dhe Kosove. Filmi dokumentar për aktorin Bekim Fehmiu është shfaqur edhe në disa shtete të tjera ku janë realizuar dhe xhirimet e tij.
Bekim Fehmiu ishte aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë, një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike e më gjerë. Ai mbetet ndër figurat më të dalluara të kinematografisë shqiptare.
Në konkurim zyrtar për çmimin “Zemra e Sarajevës”, janë filmat e autorëve shqiptarë nga Kosova, “Rrugës”, metrazh i shkurtër nga Samir Karahoda dhe dokumentari me metrazh të shkurtër «Si e Verdhë e Sëmurë» nga Norika Sefa, të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë u uroi suksese autorëve shqiptarë pjesëmarrës në Sarajevo Film Festival./atsh/KultPlus.com