Dokumentari për Rexhep Lucin, Kurti: Ky dokumentar tregon se drejtësia për të ende nuk është vendosur dhe se ne kemi humbur shumë më tepër sesa ai vetë

12 Shtator, 2024 - 5:01 pm

Mbrëmë në Prishtinë është shfaqur dokumentari “Rexhep” – Çka e vrau arkitektin?, përcjell KultPlus.

I pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook tha se Rexhep Luci duhet të kujtohet jo vetëm me fjalë, por duke kërkuar drejtësi, duke luftuar për llogaridhënie, dhe duke u përkushtuar ndaj të njëjtit vizion për integritet dhe përparim për të cilin ai nuk u spraps derisa dha edhe jetën.

Në vijim gjeni postimin e kryeministrit Kurti:

“REXHEP” – Çka e vrau arkitektin?
Vizion 20 vjeçar: Kryeqyteti me qytetarët në qendër. Planifikimi për mirëqenie të të gjithëve përkundruall kaosit për përfitime të disave.

Teksa e shikoja këtë film, ndjeja zemërim gjithnjë e më të madh. Përse ka ende kaq shumë të panjohura? Si mund të shndërrohet një atentat mizor mbi një arkitekt të mirënjohur të qytetit në një historik të paditur për të cilën ende ka kaq shumë frikë saqë as emrin e tij nuk e themi më? A është emërtuar asokohe një rrugë Prishtine “Rexhep Luci” pikërisht që të mos i përmendet emri më atij as në Prishtinë? Apo me atë rrugë deshën të na e dëshmojnë që anarkia ngulfatëse e privatizimit abuziv ka ngadhënjyer edhe në rrugën që mban emrin e tij?

Mbrëmë në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, u shfaq dokumentari “Rexhep – Çka e vrau arkitektin”, nga MB OFFICE me regji të Mathieu Jouffre dhe skenar nga Besa Luci dhe Mathieu Jouffre, ku përkujtuam jetën dhe veprën e Rexhep Lucit. Rexhep Luci nuk ishte vetëm një arkitekt, por një njeri me vizion pasionant e profesional urbanistik, njëkohësisht të qartë e të realizueshëm, për të ardhmen e qytetit të tij të dashur, Prishtinës.

Ai punoi pandalshëm para dhe pas luftës për një plan modern, human e konkret për kryeqytetin duke shpalosur dy dekadat e ardhshme: 2000-2020. Një vizion i tillë, largpamës dhe i fortë, është gjithsesi shembull unik te ne jo vetëm për atë kohë. Nuk mund ta imagjinoj që në vitin 2000 ndokush tjetër në Prishtinë a Kosovë të ketë planifikuar urbanizëm e hartuar projekte për të gjithë neve për vitin 2020! Madje edhe në vitin 1987 kur kishte propozuar planin urbanistik zhvillimor për Prishtinën 1988-2000, regjimi i atëhershëm i Serbisë dhe Jugosllavisë e kishte dëbuar nga puna dhe ia kishte marrë banesën. Sepse shqiptarët që donin të mbeten në Kosovë dhe po bënin plane progresiste nuk i duronin dot.

Në 11 shtator të vitit 2000, Rexhep Luci u vra brutalisht me gjashtë plumba para hyrjes së ndërtesës në lagjen “Dardania” ku banonte me familjen e tij. Vrasja e tij nuk është thjesht humbja e një njeriu tonë të mirë, eliminimi i një eksperti qytetar nga Peja, apo këputja e një jete shqiptari në Prishtinë, por një goditje ndaj së ardhmes së përbashkët që ai po na e vizatonte. E sot ne kemi një të ardhme tjetër prej atij vizatimi ariktektonik, diçka që i afrohet një shkarravitje aspak arkitektonike, pikërisht sepse nuk e kemi më atë dhe as ndokend tjetër të patrembur sikur ai tash e 24 vjet.

Ky dokumentar tregon jetën e arkitektit Rexhep, përkujton se drejtësia për të ende nuk është vendosur dhe se ne të tjerët kemi humbur shumë më tepër sesa ai vetë.

Rasti i vrasjes së Rexhep Lucit i cili fillimisht trajtohej nga ndërkombëtarët e UNMIK-ut është transferuar te prokuroria e drejtësia vendore. Dorasi(t) ende në liri, me drejtësi të mohuar për rastin, familjarët e miqtë e tij, mbarë popullin e shoqërinë.

Ne të gjithë duhet të flasim, të zemërohemi me të panjohurën sublime që e shfaq ky krim dhe të angazhohemi për dokumentimin e punës dhe qasjen që e kishte arkitekt Rexhepi.

Le të nderojmë kujtimin e Rexhep Lucit jo vetëm me fjalë, por duke kërkuar drejtësi, duke luftuar për llogaridhënie, dhe duke u përkushtuar ndaj të njëjtit vizion për integritet dhe përparim për të cilin ai nuk u spraps derisa dha edhe jetën.

Trashëgimia e Rexhep Lucit mbetet e gjallë dhe duhet të vazhdojë përmes veprave tona. Puna e tij, vizioni për një Prishtinë më të drejtë dhe më të rregullt, është një udhërrëfyes për të gjithë ne që besojmë në një të ardhme më të mirë./KultPlus.com

Të ngjajshme