Dokumentari për Ukrainën shfaqet në Kuvendin e Shqipërisë

18 Shtator, 2024 - 12:12 pm

Një prej filmave të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, u shfaq sot në Kryesinë e Kuvendit, në kuadër të Forumit për Ukrainën. Për këtë veprimtari u përzgjodh dokumentari “Intercepted” (Të përgjuarit).

“Të përgjuarit” është një dokumentar, prodhim i vitit 2024. Ai rrëfen shkatërrimin e Ukrainës prej luftës, duke e sjellë këtë përmes tablove të gjata. Ndërsa anën njerëzore, dokumentari e rrëfen përmes telefonatave të ushtarëve me familjet, duke zbuluar një botë paralele. Tingulli dhe imazhi përballen me njëri-tjetrin.

Përpara se të shfaqej filmi, përshëndetën forumin edhe drejtori ekzekutiv i festivalit, regjisori Kujtim Çashku si dhe prof. Theodore S. Orlin, president nderi i festivalit.

“Kam qenë në Kiev dhe kam kuptuar se, duke ndjekur dronët dhe raketat e shumta brenda 2 orëve, kuptova se ato binin në trupin e Evropës. Asnjëherë zjarri që shihet në shtëpinë e tjetrit, nuk duhet menduar se nuk do të vijë edhe në shtëpitë tona”, u shpreh Kujtim Çashku.

Ndërsa prof. Orlin tha se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë është një tragjedi e shekullit të 21-të dhe mund të jetë ndër gjërat më domethënëse të këtij shekulli. Sipas tij, nëse Ukraina nuk do të fitonte, ky do të ishte një shkatërrim për rendin ndërkombëtar, për të cilin kemi punuar shumë.

“Kjo nuk është hera e parë që shohim një film për Ukrainën. Por kësaj here jemi të shqetësuar për kombin e Ukrainës”, u shpreh Orlin./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme