16 Dhjetor, 2021 - 3:51 pm
Këto ditë doli nga shtypi numri 3 i revistës PEN Kosova, organ letrar i PEN Qendërs së Kosovës.
Revista është 220 faqeshe dhe ka punime nga gjini të ndryshme letrare.
Në numrin e fundit të revistës. PEN Kosova 3, janë përfshirë punime të autorëve nga Kosova, Shqipëria e bota me poezi, prozë, kritikë dhe eseistikë, etj.
Revista ka botuar një numër poezish të autorëve polakë të cilat në shqip nga polonishtja i ka sjellë poeti dhe përkthyesi, tash i ndjerë, Mazllum Saneja.
Kështu lexuesi i PEN Kosova ka rastin ta rinjihet me poetët Ceslaw Milosz, Tadeus Rosewicz,Wislawa Symborska, Zbigniew Herbert, Ewa Lipska, Adam Zagajewsky.
Janë botuar edhe një cikël poezish nga Sadik Bejko, Milazim Krasniqi, Demë Topalli dhe José Angel Buesa.
Në prozë janë prezentuar shkrimtarët Gotfried Keler (përkthyer nga gjermanishtja nga Naim Kryeziu), Besnik Mustafaj, Binak Kelmendi dhe Tom Kuka.
Revista sjell një sërë punimesh edhe nga eseistika e kritika letrare.
Në këtë fushë është me interes punimi i Ibrahim Berishës me titull “Autori, autoriteti dhe arti” si dhe shkrimi Kriza e letërsisë komparative e Rene Wellek përkthyer nga Osman Gashi.
Nga studiuesja dhe përkthyesja e ndjerë Sazana Çapriqi është botua studimi i saj me tiullin “Gjuha si mjet komunikimi”.
Pasojnë shkrimet nga kjo fushë nga autorët Artan Kransiqi (Artet zejtare që s’janë më në Prishtinë) dhe ai i Dardan Lajçit (Natyra dhe trashëgimia socio-kulturore në Bjeshkët e Nemuna) ndërsa Morelle Smith vjen me një vështrim mbi poezinë e Sali Bashotës.
Revista sjell edhe studimin e Avni Spahiut për shkrimin e Obri Hepbertit kushtuar shqiptarëve në Jemen në fillimin e shekullit XX.
Ky numër sjell edhe intervistën e kryetares së PEN Qendrës së Shqipërisë Entela Kasi me nënkryetarin e PEN International Eugene Schoulgin
Disa nga punime të kësaj reviste janë botuar në gjuhën angleze. /KultPlus.com