“Don Kishoti”, përsëri në shqip 100 vjet pas përkthimit të Nolit

27 Janar, 2025 - 2:00 pm

 Përveç përkthimit 100-vjeçar që i bëri Noli, “Don Kishotit të Mançës”, ka ardhur në shqip një tjetër përkthim, ai i Bajram Karabollit. Përkthyesi ishte i ftuar në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, në një takim letrar mbi “sojliun mendjemprehtë”.

Romani fantastik i Migel Servantesit, edhe pse i publikuar që në 1605-ën (pjesa e dytë në 1615) mbetet ndër librat më të lexuar edhe në kohën tonë. Figurës së Don Kishotit dhe bëmave të tij, shpeshherë i referohemi sot e kësaj dite për të etiketuar fenomene të ndryshme.

QKLL thotë se, përkthim i ri në shqip “Sojliu mendjemprehtë, Don Kishoti i Mançës”, pas atij 100-vjeçar të Nolit, vjen me një shqipe më të pasur, si dhe fragmente dhe faqe të tëra të përkthyera për herë të parë nga Bajram Karabolli.

Ripërkthimi i këtij romani ofron një qasje dhe mundësi të re leximi dhe interpretimi për lexuesin e sotshëm. Në takimin letrar në QKLL ishin të pranishëm dhe të rinj me të cilët përkthyesi foli mbi procesin e përkthimit të romanit, njohjen e jetës dhe veprimtarisë së Servantesit, njohjen me veprën në gjuhën origjinale, përkthimet në gjuhë të tjera si dhe me përkthimet në gjuhën shqipe (realizuar nga Noli dhe Zheji)./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme