6 Nëntor, 2024 - 11:58 am
Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.
Me një fitore në Uiskonsin, Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.
Donald Trump shpalli fitoren e tij në zgjedhjet e së martës dhe u tha mbështetësve të tij të mërkurën se ky moment “do ta ndihmojë vendin që të shërohet”.
Ai u bë presidenti i dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm.
“Ne kemi një vend që ka nevojë për ndihmë dhe ka shumë nevojë madje. Ne do të rregullojmë kufijtë tanë dhe do të rregullojmë gjithçka për vendin tonë”, tha Trump.
Duke folur në Uest Palm Beach të Floridës, Trump u premtoi amerikanëve se “çdo ditë do të luftoj për ju” dhe se do të sjellë “epokën e artë për Amerikën”.
“Tani është e qartë se kemi arritur gjënë më të pabesueshme politike… shikoni çfarë ndodhi, a është kjo çmenduri?” shtoi ai në fjalimin e tij përgjatë të cilit u shoqërua në skenë nga anëtarët e familjes dhe gruaja e tij, Melania Trump, si dhe kandidati për postin e nënpresidentit, JD Vance, dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson. /KultPlus.com