25 Shtator, 2024 - 7:31 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi platformën “Salla e studimit online”, ku studiuesit mund të hulumtojnë dokumentet arkivore falas nga shtëpia në çdo orë, në Shqipëri dhe jashtë vendit, me të njëjtën procedurë dhe formë, si të ishin në sallën e studimit të DPA-së.
Në vazhdën e procesit të suksesshëm të dixhitalizimit të dokumenteve, DPA-ja u vjen në ndihmë studiuesve, duke e bërë lëndën arkivore lehtësisht të aksesueshme. Për dy muaj me radhë, bazuar në këtë platformë online të studimit, dosjet e porositura të dokumenteve do të mund të konsultohen falas.
Në prezantimin e kësaj platforme ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, studiues, të rinj dhe studentë të shumtë, të cilët janë në fokus të nismave të njëpasnjëshme të DPA-së. Në fjalën e tij për mediet, Bido u shpreh se përmes kësaj risie, i ofrohet gjeneratës së re një mundësi për të shpënë përpara studimet albanologjike.
“Salla e studimit online mund të përdoret nga kushdo, kudo dhe në çfarëdo ore, si të ishte në sallën e studimit në DPA. Kjo besoj se na veçon në këtë drejtim në tentativën për t’u qasur te të rinjtë, të cilët janë pikërisht ata që do të çojnë përpara studimet albanologjike, duke u ofruar mundësi që të përparojnë në këtë fushë shumë të rëndësishme për kombin”, tha kreu i DPA-së.
Në fjalën e mbajtur, kryetarja e Kuvendit, Spiropali e cilësoi platformën si mjaft të dobishme për studiuesit nga diaspora, për të ruajtur identitetin, kulturën dhe rrënjët shqiptare.
“Arkivat nuk janë vetëm një çështje e historisë për ne, por edhe një çështje identiteti, e kulturës dhe e rrënjëve tona. Më vjen shumë mirë që i keni dhënë këtë vëmendje studimit të historisë dhe uroj që kjo hapësirë të përdoret jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga të rinjtë, që duan të kuptojnë të shkuarën dhe të studiojnë më thellë. Është shumë i rëndësishëm edhe qasja që mund të kenë studiues nga diaspora, pasi tek ata malli dhe interesi për rrënjët është më i madh”, tha kryeparlamentarja.
Ndërmarrja e kësaj nisme u adresohet veçanërisht studentëve, të cilët krahas tarifave favorizuese për përftimin e burimeve bibliografike gjatë kryerjes së punimeve të tyre akademike, inkurajohen më tej për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.
Me rreth 19 milionë dokumente të dixhitalizuara në 5-vjeçarin 2019-2024, DPA-ja përfaqëson arkivin qendror më të dixhitalizuar në Europë.
Korpusi dokumentar i DPA-së është i aksesueshëm kudo dhe kurdoherë, edhe falë çeljes së këndeve arkivore në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku materialet arkivore shërbehen njësoj si në sallën e studimit në Tiranë.
Jetësimi i projekteve novatore të DPA-së është rezultat i investimeve të qeverisë shqiptare. Në këtë vit që përkon me 75-vjetorin e saj të themelimit, DPA-ja është shndërruar në një kompleks të mirëfilltë kulturor.
Veprimtarisë së “Auditorium”-it, të kinemasë/teatrit veror me kapacitet prej 140 ulësesh dhe të hapësirës së studimit në natyrë, do t’i shtohet edhe muzeu arkivor, i cili paraqet një alternativë kulturore bashkëkohore, që pritet të hapë dyert së afërmi./atsh/ KultPlus.com