29 Gusht, 2024 - 1:29 pm
Drejtoresha e Përgjithshme e panairit më të madh të turizmit në botë ITB Berlin, Deborah Rothe deklaroi se Shqipëria të jep menjëherë esencën e një mikpritjeje të mirë.
Në një intervistë televizive, Rothe tha se “që në vizitën time të parë në Shqipëri, një vit më parë në Tiranë, më ra në sy dhe e ndjeva mikpritjen e vendit dhe të njerëzve. Është një ndjenjë e ngrohtë, ndihesh shumë i mirëpritur dhe ke mundësi të vendosësh kontakt direkt me njerëzit. Për mua personalisht, kjo është esenca e një mikpritjeje të mirë. Kjo ka bërë që ne të marrim këtë vendim dhe që Shqipëria të vendoset në fokusin tonë si një nga të paktat vende të rëndësishme për ne që mund të ishte mikpritëse në ITB Berlin dhe njëkohësisht e të gjithë industrisë botërore të turizmit te ne, në qendrën tonë të panaireve në Berlin”.
“Si vend mikpritës i ITB Berlin, je njëkohësisht mikpritës i gjithë botës, që do të thotë e gjithë industria e turizmit dhe këtu kam parasysh gati 100 mijë njerëz nga e gjithë bota që do të udhëtojnë në Berlin për ta përdorur panairin si platformë nxitëse për bizneset e tyre”, tha Rothe.
Rothe u shpreh se “Shqipëria ia doli sidomos gjatë dhe pas kohës së pandemisë që të prezantohej si një vend shumë i sigurt dhe mendjehapur e kjo solli si rezultat edhe më shumë turistë. Ajo që bie në sy njëkohësisht me këtë trend është që turistët janë të përhapur shumë thellë në të gjithë vendin. Kjo do të thotë se nuk ka një sezon kohor dhe gjeografik të përcaktuar qartë, nuk ka një kalendar nisjeje dhe përfundimi gjatë vitit, por përkundrazi kemi një shpërndarje gjithëvjetore dhe në të gjithë vendin. Ka mjaftueshëm vend dhe hapësira për shumë njerëz dhe po ashtu ka mjaftueshëm mundësi për t’u prezantuar si me malet ashtu dhe në det dhe plazhe. Kjo shumëllojshmëri e vendit, vlerësohet me të drejtë dhe nga turistët dhe ndaj edhe vijnë”.
Drejtoresha e Përgjithshme e Panairit më të madh të turizmit në botë thekson se ka nevojë ende për përmirësime në kuadër të turizmit, por gjithsesi vendi është në rrugën e duhur.
“Është shumë e rëndësishme të përgatisni infrastrukturën, mbi të gjitha për turistët ndërkombëtarë. Ne e vëmë re se disa po bëhen gati me shpejtësi si aeroporti i ri ndërkombëtar i Vlorës, apo rikonstruksioni i linjës hekurudhore, në mënyrë që t’u jepet mundësia edhe turistëve të udhëtojnë brenda vendit, që të mos mbeten të detyruar të presin makinën apo autobusin, por të lëvizin në mënyrë të lirshme në vend. Besoj se kjo infrastrukturë është kryesore mes nevojave dhe detyrimeve për t’i mirëpritur turistët ndërkombëtarë. Ajo që ndjej unë është një pasion i madh, pasion për vendin, për ta prezantuar atë tek të huajt me të gjitha bukuritë e tij, shpirtin e shqiptarëve por sidomos këtë shumëllojshmëri që e përshkrova më sipër”, nënvizoi Rothe.
Ky, vijoi ajo, është edhe thelbi i nevojshëm i asaj që duhet të shkruhet mbi Shqipërinë në media, që të kuptohet se si funksionon ky vend, që të kuptohet se sa të hapur dhe se sa mendjehapur për më tepër janë këta njerëz që janë shumë të lumtur të përshëndesin botën e turizmit ndërkombëtar.
E pyetur me çfarë ndjesish po largohet, Rothe tha se “ajo që ndjej unë është një pasion i madh, pasion për vendin, për ta prezantuar atë tek të huajt me të gjitha bukuritë e tij, shpirtin e shqiptarëve por sidomos këtë shumëllojshmëri që e përshkrova më sipër”.
“Jemi shumë të lumtur që kemi këtë bashkëpunim, kemi zhvilluar një fushatë shumë të bukur së bashku dhe mezi po pres mbrëmjen hapëse gala, ku Shqipëria në skenë do të jetë me të gjithë traditat e saj për të prezantuar më së miri këtë vend të bukur”, tha ajo./atsh/KultPlus.com