22 Korrik, 2024 - 6:25 pm
Drejtoresha e Shërbimit Sekret amerikan, Kimberly Cheatle tha sot se atentati ndaj ish-presidentit Donald Trump është “dështimi më i madh operacional” i agjencisë në dekada.
“Më 13 korrik, ne dështuam”, u tha zonja Cheatle ligjvënësve të hënën, gjatë një seance dëgjimore në Kongres. Ajo shtoi se merr përgjegjësinë e plotë për gabimet e agjencisë lidhur me sulmin në tubimin elektoral të republikanit Trump në Pensilvani në fillim të këtij muaji.
Drejtoresha e Shërbimit Sekret dëshmoi para një komisioni të Kongresit, mes thirrjeve në rritje për dorëheqjen e saj për shkak të dështimeve të masave të sigurisë në tubimin ku një 20 vjeçar i armatosur tentoi të vriste ish-presidentin Trump.
Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve dëgjoi deklaratat e zonjës Cheatle në paraqitjen e parë të saj para ligjvënësve që nga sulmi i 13 korrikut në Pensilvani, që la të vdekur një pjesëmarrës në tubim.
Zoti Trump u plagos në vesh dhe dy pjesëmarrës të tjerë u plagosën nga Thomas Matthew Crooks, i cili hapi zjarr nga çatia e një objekti aty pranë.
Ligjvënësit kanë shprehur zemërim dhe kanë ngritur pikëpyetje se si një person i armatosur arriti t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president, kur ai supozohej të ishte i mbrojtur.
Shërbimi Sekret e ka pranuar se ka mohuar disa kërkesa të fushatës së zotit Trump për masa shtesë sigurie në aktivitetet e tij para atentatit.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas e cilësoi atentatin si një “dështim”, ndërsa disa ligjvënës kanë kërkuar dorëheqjen e zonjës Cheatle ose shkarkimin e saj nga presidenti Joe Biden.
Shërbimi Sekret ka thënë se drejtoresha e agjencisë nuk ka ndërmend të dorëhiqet. Deri tani, ajo ka mbështetjen e presidentit demokrat dhe sekretarit të sigurisë kombëtare.
Zyrtarët i kanë thënë agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ se para atentatit, forcat e zbatimit të ligjit janë vënë në dijeni të veprimeve të dyshimta të autorit të sulmit, afër vendit ku po mbahej tubimi. Ai ishte vërejtur duke kryer matje të distancës nga çatia prej nga sulmoi, tek skena ku më vonë u ngjit ish-presidenti. Po ashtu kanë qarkulluar pamje të Crooks pranë perimetrit të sigurisë.
Më vonë dëshmitarët e panë atë duke u ngjitur në çatinë e një objekti që ndodhej 135 metra larg skenës ku ish-presidenti mbajti fjalimin para mbështetësve të tij.
Ai qëlloi disa herë me një armë automatike, ndërsa në xhep kishte një pajisje për aktivizimin e një mjeti shpërthyes në makinën e tij të parkuar aty pranë.
Sulmi ndaj zotit Trump ishte përpjekja më serioze për vrasjen e një presidenti apo kandidati për president që nga plagosja e Ronald Reaganit më 1981.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet mbi motivin e autorit të sulmit, por deri tani nuk kanë gjetur ndonjë prirje ideologjike që do të hidhte më shumë dritë mbi sulmin.
Hetuesit që kontrolluan telefonin e tij gjetën fotografi të republikanit Trump, demokratit Biden dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë. Hetuesit zbuluan gjithashtu se ai kishte kërkuar në internet datat e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate dhe datat e tubimeve tjera të zotit Trump. Ai kishte kërkuar edhe informacione mbi depresionin./VOA/ KultPlus.com