6 Shtator, 2020 - 8:30 pm
Nënshkirmi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë në Washington, krijoi shumë paqartësi. Edhe pse arritja më e madhe kishte të bënte me njohjen e Izraelit të Kosovës, kishte edhe disa pika të cilat u tentuan të sfumoheshin. Një nga këto ishte edhe pika për shfrytëzimin e Liqenit të Ujmanit, pronë kjo e patjetërsueshme e shtetit të Kosovës.
Pas këtyre reagimeve, me të drejtë nga ana e shqiptarëve, gazeta “Shekulli”, zhvilloi një prononcim me Drejtorin Ekzekutiv që menaxhon Hitrocentralin apo Ndërmarrjen Hidroekonomike të Liqenit të Ujmanit, Z. Berat Lushtaku.
Në reagimin e tij, Z. Lushtaku theksoi se Ujmani është pronësi e Kosovës dhe se posedojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për këtë gjë.
“Sa i përket pyetjes suaj lidhur me njerën pikë të “Marrëvshjes” të nënshkruar nga përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, dua të deklaroj se ne nuk kemi parë asnjë dokument- marrëveshje zyrtarisht, prandaj nuk mund të spekulojmë dhe të përgjigjemi në një situatë hipotetike, por sa ta pranojme dokumentin zyrtarisht do ta analizojmë dhe do të përgjigjemi në kohë reale.
Po qarkullojnë shumë spekulime në media lidhur me Ujmanin e Kosovës, dua të theksoj se Ujmani është në pronësi të Kosovës dhe posedojmë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe nuk vihet në dilemë në asnjë moment pronësia e liqenit, kjo çështje është e definuar dhe Liqeni i Ujamanit është arterja kryesore e shtetit të Kosovës, po të tentohet të cënohet nje pllam e Ujmanit atëherë cënohet e gjithë Kosova, prandaj kjo çështje është e definuar mirë me dokumentacion valid”, u shpreh Z. Lushtaku.
Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Ky liqen ka sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë.
Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1970-1984. Hidrocentrali prodhon 35 megavat për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër-Lepenc është 49 kilometra i gjatë dhe është ndërtuar me fonde të buxhetit të Kosovës.
Kanali Ibër – Lepenci kalon nëpër territorin e pesë komunave – Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë, duke kaluar nëpër 33 vendbanime rurale dhe dy qytete.
Ky liqen menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër-Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës.
Sa i përket Liqenit të Ujmanit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media nga Washingtoni tha se janë dakorduar që të bëhet një studim i fizibilitetit nga Departamenti i Energjisë të SHBA-së për këtë liqe.
“Pra, Departamenti për Energji i SHBA-së, të bëjë një studim të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit për mënyrën se si do të përdoret uji i këtij liqeni në të ardhmen, si burim ujitje dhe si burim energjie. Vetëm kaq, kjo është e vërteta sa i përket kësaj çështje”, ka thënë Hoti.
Në anën tjetër, në Zubin Potok ka një ndërmarrje në pronësi të Serbisë e cila quhet “Ibar” dhe është themeluar në vitin 2002 dhe që Kosovën e konsideron të paligjshme.
Vitet e fundit, zyrtarë nga Beogradi insistonin të përvetësojnë këtë liqe, çka është kundërshtuar fuqishëm nga autoritetet zyrtare në Kosovë. Veriu.Info / KultPlus.com