Drejtori Ferizi pas prezantimit të projektit për Teatrin e Operës dhe Baletit: T’a gëzojnë dinjitetshëm artistët e së ardhmes

3 Shkurt, 2025 - 10:12 pm

Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, pas prezantimit të projektit fitues për ndërtimin e Teatrit, Operës dhe Baletit  të Kosovës ka thënë se 3 shkurti paraqet një ditë historike e cila do t’i jap jetë ëndrrave të artistëve të gjeneratave të ndryshme.

Drejtori Ferizi përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, objektin e katër institucioneve qëndrore elitare të shtetit e ka cilësuar si pasuri kombëtare, në të cilin dinjitetshëm do të paraqiten artistët e së ardhmes.

“Një ditë historike, shprese dhe ëndërr e shumë gjeneratave artistësh dhe artdashësish për shumë dekada, ku sot u bë prezantimi i projektit ideor fitues të TOB-it, për katër institucionet qëndrore e elitare të shtetit si: Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës – The National Ballet of Kosova, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”.

Shpresojmë dhe besojmë të realizohet e jetësohet sa më shpejt dhe me profesionalizëm ky aset kombëtar, simbol i Kryeqytetit e Kosovës, dhe t’a gëzojnë dinjitetshëm artistët e së ardhmes”, ka thënë Drejtori Ferizi.

Projekti fitues i ndërtimit të Teatrit, Operës dhe Baletit me vlerë 2 milionë e 450 mijë euro, i cili pasqyron siluetën e veshjes së xhubletës është ideuar nga arkitekti Bjarke Ingels, dhe përmban katër auditoriume me kapacitet prej 300 deri në 1200 ulëse. Ky objekt pritet të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026./ KultPlus.com

Të ngjajshme