2 Shtator, 2024 - 6:01 pm
Në mbyllje të këtij sezoni veror, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) u ndal në një prej perlave joniane, për të sjellë pranë pushuesve ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror”.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Himarës, DPA-ja shpalosi përgjatë shëtitores së qytetit një rrëfim mbi bukurinë e përveçme të rivierës dhe veprimtaritë publike të atyshme, në gjysmën e parë të shek. XX.
Përmes prezantimit të ekspozitave, DPA-ja synon promovimin e pasurisë dokumentare kombëtare dhe njohjen e së shkuarës, duke frymëzuar një të nesërme shpresëplotë.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë:
Kërkesa e vitit 1922 për krijimin e Bashkisë së Himarës, gjer asokohe nënprefekturë e Vlorës;
Korrenspondenca mes banorëve të zonës dhe autoriteteve shtetërore mbi probleme të përgjithshme;
Kërkesa për rindërtimin e skelës së portit;
Kërkesa për krijimin e një flote kombëtare tregtare./ KultPlus.com