19 Maj, 2022 - 11:24 am
Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë ka reaguar lidhur me rastin e prezantuar dje në Pejë, ku pretendohet që dhjetë nxënës të pakicave u lanë anash gjatë Festës së Abetares, shkruan KultPlus.
Nga drejtoria thonë që lajmi është tendencioz dhe nuk përkon me realiteti. Të njëjtit kanë deklaruar që janë duke menduar për kallëzim penal ndaj gazetares që e ka realizuar këtë storie.
Ky është reagimi i plotë nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Pejë:
Lajm i skajshëm tendencioz, që nuk përkon me realitetin.
Mësuesja në fjalë, pas aktiviteteve në parkun e qytetit me nxënës ka ardhur në palestrën “Karagaqi” në Pejë, ku mbahej festa e Abetares, rreth orës:13:00.
Është ulur në pjesën, që i ka konvenuar. Kanë qenë në nivel dhe të hareshëm.
Ata sigurisht se kanë patur dëshirë ndoshta të jenë në pjesën e podiumit, por nuk ka të bëjë me realitetin.
Në pjesën e podiumit kanë qenë të vendosur vetëm nxënësit, klasat e parapara për prezantim dhe zyrtarët nga MASHT-i dhe Komuna e Pejës. Nga Komuna e Pejës ishte një paralele e Sh.F. ,,Asdreni’’, ndërsa të tjerët ishin në pjesën e spektatorëve: nxënësit, prindërit dhe qytetarë të tjerë.
Prezantimi i Klan Kosovës është tendencioz, sepse ul dinjitetin e mësuesit.
Është prerë deklarata e mësueses. Sigurisht se jemi duke menduar për kallëzim penal ndaj gazetares.
Nxënësit janë të barabartë dhe si të tillë do të trajtohen pa dallim race, gjinie, apo besimi. Çdo shkelje ndaj tyre, do të trajtohet me përkushtim.
Dëshpërues fakti, pse këto tendenca pikërisht në festën e Abetares?! / KultPlus.com