Drita Hajdari nderohet me medaljen Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës nga ambasada franceze

21 Shkurt, 2025 - 1:45 pm

Mbrëmë, ambasadori i Francës, Olivier Guérot, i dorëzoi medaljen Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës, Drita Hajdarit, në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e saj të jashtëzakonshëm për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës.

Kjo mirënjohje nga Franca shpërblen veprimtarinë e shquar të Hajdarit të realizuar falë angazhimit të saj profesional.

Ish-prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Hajdari është shquar me guximin, integritetin dhe vendosmërinë e saj për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Guximi dhe profesionalizmi është dëshmuar në veçanti ne shumë lëndë të ndjeshme, duke e bërë atë një figurë të respektuar në Kosovë dhe më gjerë. Puna e saj në Prokurorinë Speciale të Kosovës kontribuoi dukshëm në forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e demokracisë në vend.

Pas një karriere të pasur dhe të përkushtuar, Hajdari doli në pension në vitin 2023, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në fushën e drejtësisë. Ndikimi i saj vazhdon të frymëzojë gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të gjyqtarëve, prokurorëve dhe juristëve të përkushtuar për mbrojtjen e vlerave demokratike, të cilat i ndajnë Franca dhe Kosova.

Ceremonia u mbajt në Rezidencën e Francës, në prani të familjes, miqve dhe kolegëve të saj, si dhe autoriteteve vendore e ndërkombëtare./ KultPlus.com

Të ngjajshme