28 Prill, 2022 - 8:14 pm
Në Cetinje sot është mbajtur seanca e Kuvendit, në të cilën deputetët kanë votuar për kryetarin e Kuvendit dhe për Qeverinë e 43-të e Malit të Zi.
Në këtë drejtim, sipas mediave atje, përcjell Telegrafi, kryetare e Kuvendit të Malit të Zi është zgjedhur deputetja Danijela Gjuroviq. Për zgjedhjen e Gjuroviç votuan 45 deputetë, ndërsa tre ishin kundër.
Ndërsa siç edhe ishte pritur, për kryeministër i vendit është votuar Dritan Abazoviq.
Ndryshe, ky sesion tërhoqi shumë vëmendjen e publikut, ndaj ngjarja është pasqyruar nga mediat malazeze dhe rajonale.
Sipas një njoftimi të mëhershëm, Qeveria pritet të përbëhet nga Lëviza Qytetare URA, të cilën e udhëheq Abazoviq, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Social-Demokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Kabineti i ri pritet të ketë 18 ministri dhe katër zëvendëskryeministra.
Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
Qeveria e Krivokapiqit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion midis Frontit Demokratik – pro serb – Demokratëve, dhe Lëvizjes URA.
Por dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit – disa pro-serbë, disa pro-evropianë – kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt duke ndikuar edhe në vendimmarrje./KultPlus.com