3 Shkurt, 2021 - 9:38 pm
Dritëro Angolli pati një lidhje të veçantë shpirtërore me Arbëreshët, të cilën e ka manifestuar në krijimtari, epistolarin e vet me miqtë arbëreshë, si dhe në veprimtarinë e tij si drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ishte viti 1988, pikërisht 30 gusht 1988. Po afrohej 500- vjetori i themelimit të Horës së Arbëreshëve (italisht Piana degli Albanesi). Për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike qenë organizuar nisma që do të mbeteshin të paharrueshme për arbëreshët: një festë popullore në të cilën morën pjesë grupe folkloristike të ardhura nga të gjitha arealet shqipfolëse të Italisë dhe nga Ballkani, ekspozita pikture, një konferencë ndërkombëtare në të cilën referuan albanologë të ardhur nga vende të ndryshme të botës: nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Europa. Sigurisht nuk munguan edhe përfaqësimet e qendrave kërkimore shqiptare, midis të cilave dalloheshin ato të Universitetit të Tiranës e të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si edhe delegacioni i rëndësishëm dhe prestigjioz i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Delegacioni kryesohej nga një intelektual i shquar, emri i të cilit ishte tashmë mjaft i njohur për shumë nga të rinjtë arbëreshë që i ishin qasur letërsisë shqiptare dhe që zienin nga mendimi se, së afërmi, do ta takonin.
Emocione të forta, por edhe drojë e madhe përballë një autoriteti të padiskutueshëm e një personaliteti të shquar sikundër ishte ai i Dritëro Agollit. Së paku këto ishin ndjenjat që unë vetë provoja, duke konsideruar se nuk kisha pasur kënaqësinë për ta takuar personalisht autorin e veprave aq të famshme, disa nga më të arrirat e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ndër organizatorët zotëronte ankthi i pritjes së ditës në të cilën, më në fund, do të takoheshim me këto personalitete. Për arbëreshët, që në atë përvjetor të rëndësishëm ia kishin dalë t’i bashkonin shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Greqisë dhe albanologë të shquar si amerikani Eric Pratt Hamp ose sovjetikja Agnija Desnitskaja, ishte një sukses me domethënie të madhe simbolike, ishte gati si një njoftim i asaj që pak vite më vonë do të ndodhte pashmangshëm me rënien e perdes së hekurt.
Fjalimi përurues i Dritëro Agollit qe shumë i efektshëm, zgjoi reagime veçanërisht pozitive një nga konsideratat e gjata të tij në të cilën ngërthente me vizionin jashtëzakonisht të kthjellët e largpamës karakterin dallues të atij fenomeni sociologjik e kulturor që, pak më shumë se një dhjetëvjeçar më parë, Pier Paolo Pasolini e kishte përkufizuar “mrekullia antropologjike e arbëreshëve”.
Fjalimi i Dritëro Agollit
“Arbëreshët janë bijtë tanë, nëse marrim parasysh faktin se nënë e tyre e lashtë është Shqipëria. Në të njëjtin kohë ata, për sa u përket zakoneve, riteve, trashëgimisë kulturore e materiale dhe gjuhës, janë edhe pararendësit tanë, sepse na japin mundësinë të njohim mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Shqipërinë e shekullit XV, d.m.th. fëmijërinë tonë. Kjo nuk do të thotë aspak se ne do të jemi të prirur ta konsiderojmë Horën si një specie të muzeut ku të zhvillohen kërkime mbi gjuhën dhe zakonet, ku të shkojmë për të kërkuar fosile të qytetërimit tonë. Përkundrazi, ne urojmë ta shohim Pianën në lulëzim të përhershëm, në një zhvillim ekonomik e kulturor në gjirin e shoqërisë italiane, për të ruajtur identitetin e vet, pa zgjedhur izolimin. Kultura europiane, sikundër pohon një shkrimtar i njohur, është Promete, Faust e Sizif njëkohësisht. Por unë shtoj: të jetosh në mesin e saj do të thotë të dish edhe të mbrohesh për të mos u asimiluar, po edhe për t’u pasuruar e për të mos u vjetruar.”/ KultPlus.com