10 Shkurt, 2023 - 3:00 pm
Trajneri i xhudos, Driton Kuka, i cili së fundmi ka marrë edhe titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, është ftuar si mysafir nderi në shkollën fillore “Asdreni” në Pejë, ku ai ndoqi mësimet si fëmijë, përcjell KultPlus.
Në këtë takim që i dedikohen 15 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ai u prit ngrohtë nga drejtoresha e shkollës, Agime Lajqi, stafi dhe sidomos nga fëmijët e kësaj shkolle të cilët ishin veshur me ngjyrat e flamurit dhe po mbanin në duar flamurin e shtetit tonë.
Kuka ka ndarë një fotografi nga ky takim, teksa shprehet që Kosovën duhet ta ruajmë e forcojmë me dashur e fanatizëm.
“Në shkollën fillore ku vijova mësimet!
Këtu mësuan dhe u edukuan edhe Kampionet tona Olimpike
Tani më Dita e pavarësisë së shtetit tonë po afron.
Ishim mysafirë në SHF “ Asdreni” në Pejë ku u pritëm ngrohtë nga stafi dhe Drejtoresha Agime Lajqi e me theks të veçantë nga fëmijët e mrekullueshëm
15 Vjet Shtet,një foshnjë e lindur që po rritet e forcohet çdo ditë!
Ta ruajmë e forcojmë Kosovën tonë me dashuri e fanatizëm
”, shkruan Kuka. / KultPlus.com