24 Qershor, 2020 - 1:16 pm
Ditë më parë, më 20 qershor u shënua Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve.
Personazhe të famshëm nga mbarë bota kanë kujtuar ata që vuajnë më së shumti në mungesë të kushteve elementare, e që shpesh janë refugjatët në vende të huaja.
Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është një nga yjet e famshëm të tregut ndërkombëtar, e cila rrjedh nga një familje refugjate.
Familja e saj u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova, në vitet ‘90.
Ka qenë babai i këngëtares, Dukagjin Lipa, ai i cili në një sërë fotografish prekëse të publikuara në rrjetin social, ku shfaqen refugjatët nga lufta e fundit në Kosovë dhe ata sirianë që Dua vizitoi një vit më parë në Liban, ka shkruar disa fjalë për refugjatët.
“Dje ne kujtuam kohën kur para 21 vitesh mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës u nxorën nga shtëpitë dhe u larguan nga vendi i tyre, si shkak i fushatës brutale të spastrimit etnik nga forcat serbe në Kosovë. Në të gjitha “Ditët Botërore të Refugjatëve”, dhe në çdo ditë tjetër ne do të jemi pranë refugjatëve dhe njerëzve të shtypur në vuajtjen e tyre. Shpërndani dashuri, jo luftë.”
Ky postim është shpërndarë më pas nga Dua Lipa, e cila u ka treguar mbi 47 milionë njerëzve që e ndjekin në Instagram, situatën e tmerrshme në të cilën ndodhej vendi i saj dikur dhe padyshim peripecitë e saj si emigrante.
Ndonëse Dua ka lindur në Britani të Madhe, pasi prindërit e saj emigruan gjatë luftës, në 2006 ajo është rikthyer në Kosovë, për tu larguar më pas sërish drejt Mbretërisë së Bashkuar ku edhe arriti majat. / KultPlus.com