21 Janar, 2021 - 10:03 pm
Shumica e festivaleve botërore të artit janë anuluar për shkak të Covid-19 vitin e kaluar, teksa ende po diskutohet nëse do të ketë organizime në vitin 2021, shkruan KultPlus.
Një festival tejet i njohur që ka nam edhe përtej kufinjve shqiptarë është Festivali “Sunny Hill” për të cilën organizatori, Dukagjin Lipa ka jepur detaje për organizimin e tij në këtë vit.
I ftuar së fundmi në emisionin e mëngjesit “Ora shtatë” në Klan Kosova, Dukagjin Lipa tregoi se planet për realizimin e festivalit do të plotësohen në varësi të situatës së pandemisë.
“Planet e saj varen shumë prej situatës me pandeminë. Ne mezi presim të fillojë përsëri Festivali Sunny Hill. Shpresojmë shumë që pandemia të qetësohet sepse duhet ta dimë që duhet të jemi të kujdesshëm me festivale. Duhet t’iu përmbahemi rregullave të COVID”, shprehet ai.
Më tej shton se i gjithë ekipi është i gatshëm për organizimin e edicionit të sivjetshëm dhe po presin për dritën jeshile nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Jemi të gatshëm për festivalin por jemi duke e prit vendimin e Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit, për hapësirën e re të këtij festivali. Do të kemi një lajm të ri për 3-4 ditë për sajtin e festivalit. Veç pandemia mundet me na ndalë, asgjë tjetër”, tha Dukagjin Lipa.
Festivali “Sunny Hill”, festival ky disa ditorë, ka sjellë në Kosovë disa nga emrat më të shquar të muzikës si Miley Cyrus dhe Gashi. / KultPlus.com