Dumoshi: Kujtimi për Nexhmijen do të jetë i përhershëm për ne, dhe një shembull fisnik për brezat e ardhshëm

7 Shkurt, 2020 - 1:25 pm



Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka reaguar me një telegram ngushëllimi për vdekjen e Nexhmije Pagarushës.

Ky është reagimi i Dumoshit:

E nderuara familje Pagarusha,

Me dhimbje dhe pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të dashurës suaj dhe këngëtares sonë të madhe, Nexhmije Pagarushës.

Ndarja nga jeta e Nexhmijes është një humbje e madhe për ju, për miqtë e saj dhe kulturën shqiptare, të cilës ajo i dha shumë vlera dhe dinjitet.

Nexhmije Pagarusha me artin e saj muzikor, ka dhënë shumë për kulturën shqiptare, duke e ngritur në një nivel të lartë. Dhe kështu, ajo u bë ikonë e Kosovës moderne, duke u bërë edhe burim frymëzimi për breza të tërë.

Prandaj, ajo do të mbetet përgjithmonë bilbili i këngës shqipe në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë.

Kujtimi për Nexhmijen do të jetë i përhershëm për ne, dhe një shembull fisnik për brezat e ardhshëm.

Nexhmija ka lënë pas vete një trashëgimi të pasur, ndaj të cilës jemi falënderues dhe përballë së cilës kemi përgjegjësi. Shumë këngë të saj janë shndërruar në himn jete për familjet e Kosovës.

Ajo me punën dhe kontributin e saj ka sjellë një epokë identitare në fushën e këngës dhe të muzikës shqipe, duke përfituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre të botës muzikore, por edhe më gjerë. Këngët e saj, veçmas “Baresha”, janë kryevepra të artit muzikor.

Ne jemi brez me fat që u rritëm me këngët e saj.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi. /

Të ngjajshme