16 Korrik, 2020 - 2:26 pm
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, i shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi, vizituan Komunën e Fushë Kosovës, për të inspektuar investimet që MKRS-ja po bën në këtë komunë.
Ministrja Dumoshi e zëvendësi Matoshi u pritën në Komunë nga kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, me të cilin diskutuan për projektet në të cilat merr pjesë ministria, për mbarëvajtjen e tyre dhe për shqetësimet tjera më të cilët ballafaqohen qytetarët e kësaj zone, e që ndërlidhën me resorët që mbulon MKRS-ja.
Drejtuesit e ministrisë dhe të komunës inspektuan vendin në të cilin pritet të ndërtohet palestra e sportit, afër Pishave të Sllatinës. Afër këtij vendi është duke u ndërtuar edhe objekti i Muzeut të Historisë së Natyrës, investim i MKRS-së.
“MKRS-ja investon në çdo komunë, siç është duke investuar edhe në Komunën e Fushë Kosovës. E kemi palestrën sportive, projekt në të cilin së shpejti do të fillohet me punime. Në pjesën e kulturës e kemi Muzeun e Historisë së Natyrës i cili është duke u ndërtuar në territorin e komunës së Fushë Kosovës. Në kuadër të këtyre projekteve, është ideja që ai vend ku janë duke u bërë këto investime të shndërrohet në një kompleks, ku pritet të integrohen edhe fushat me bari sintetik dhe fushat e tenisit, për të cilin e sigurova kryetarin Berisha për të bashkëpunuar në këtë drejtim”, tha mes tjerash ministrja.
Ministrja përmendi se kanë diskutuar edhe për mbështetjen e rinisë së Fushë Kosovës dhe projektet në trashëgimi, ku veçoi Kalanë e Harilaqit duke treguar se MKRS-ja ka paraparë 20 mijë euro për këtë vit.
Ndërsa kryetari Berisha e falënderoi ministren. Ai tha se ishte një takim i frytshëm ku u diskutuan projekte që janë në interes të qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, gjë për të cilën investimet e MKRS-së janë të mirëseardhura.
Mst. Inspektimi i punimeve në Muzeun e Historisë së Natyrës
Ministrja Dumoshi në kuadër të vizitës në Fushë Kosovë, inspektoi edhe punimet që janë duke u zhvilluar në projektin e Muzeut të Historisë së Natyrës tek Pishat e Sllatinës, projekt i cili tërësisht është investim i MKRS-së dhe kap vlerën e mbi 2 milion eurove.
Duke folur për mbarëvajtjen e punës në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës, ministrja foli për fazën në të cilën ndodhen punimet. Sipas ministres Dumoshi, për shkak të pandemisë, punimet në këtë projekt të ministrisë, janë zhvilluar me një dinamikë të redukutar.
“Bisedova me inxhinierin dhe presim një raport që do të vij për fazën ku ndodhen saktësisht punimet edhe sipas projektit me të gjithë specifikat e statikës e detaje tjera për të parë pengesat eventuale. E rëndësishme është që punimet janë duke vazhduar, është duke e ndërtuar etazha e dytë e objektit ngase Muzeu i Historisë së Natyrës është një objekt i cili në vete përmban tri ndërtesa por shpresoj që në tërësi objekti do të finalizohet në afatet e parapara optimale”, sqaroi ministrja.
Ministrja Dumoshi foli po ashtu edhe për ndërprerjen e investimeve kapitale nga ana e qeverisë për shkak të pandemisë dhe se kjo është një hendikep për veti, porse prioritetet qeveritare kanë bërë që shumë nga projektet që ka pasur në plan MKRS-ja të shtyhen për vitin e ardhshëm. / KultPlus.com