Dumoshi: Vdekja e shkrimtarit të shquar Musa Ramadani është pikëllim e dhimbje për Kosovën

10 Mars, 2020 - 9:24 pm

Me rastin e vdekjes së shkrimtarit të njohur kosovar Musa Ramadani, ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka dërguar një telegram ngushëllimi për familjen, e cila ka vlerësuar se vdekja e Ramadanit është pikëllim e dhimbje për Kosovën.

KultPlus sjell më poshtë telegramin e plotë të ministres Dumoshi.

Telegram ngushëllimi

Kosova do ta kujtojë me respekt dhe nderim veprën e Musa Ramadanit

E nderuara familje e Musa Ramadanit,
Të nderuar kolegë shkrimtarë,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e familjarit tuaj, shkrimtarit tonë të çmuar, Musa Ramadanit.

Vdekja e shkrimtarit të shquar Musa Ramadani është pikëllim e dhimbje për Kosovën, është humbje për fjalën e bukur shqipe, për kolegët, shkrimtarët, dhe në përgjithësi për kulturën shqiptare.

Musa Ramadani është poet, prozator, eseist dhe përkthyes i brezit modern të Kosovës dhe si i tillë mbetet figurë shumë e rëndësishme e kulturës letrare shqiptare.

Veprimtaria e tij letrare mbetet trashëgimi e pasur e historisë së Kosovës, dhe si i tillë do të vlerësohet brez pas brezi.

Kosova do ta kujtojë me respekt dhe nderim veprën letrare të Ramadanit.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Të ngjajshme