4 Gusht, 2019 - 6:00 pm
Bashkëpunimi shqiptaro-italian për projektin “Durrësi Mesjetar” 2019 vazhdon. Kërkimet janë përqendruar në amfiteatrin romak të qytetit. Monumenti është një prej më të mëdhenjve në Gadishullin e Ballkanit dhe me shumë gjasa është ndërtuar në epokën e perandorit Trajan, në pjesën perëndimore të qytetit antik.
“Projekti Durrës: Kërkime arkeologjike dhe vlerësim i pasurisë arkeologjike të Durrësit dhe territorit të tij, financuar nga Ministria e Jashtme Italiane, është një mision i Universitetit të Chietit ‘Gabriele D’Annunzio’, nën udhëheqjen e prof. Sonia Antonelli”, shkruhet në njoftimin e bartësve të projektit. “Durrësit Mesjetar” është vijim i aktiviteteve kërkimore të Universitetit të Parmës në vitet 2003-2009. Projekti synon rifillimin e gërmimeve arkeologjike në amfiteatrin e ndërtuar në fund të shekullit 1 pas Krishtit, punimet në strukturat e gjetura, si dhe dokumentimin e konsolidimin e tyre.
Pjesë e gërmimeve do të jenë edhe studentë shqiptarë dhe studentë italianë nga Universiteti “G. D’Annunzio”, Chieti-Pescara.
Misioni Arkeologjik Italian ka nisur punën e tij në qytetin e Durrësit që prej vitit 2001, me qëllim realizimin e hartës së rrezikut arkeologjik, si dhe evidentimin e aktivitetit të gërmimit dhe projektimit të vlerësimit të monumenteve urbane, veçanërisht të amfiteatrit romak. /KultPlus.com