2 Korrik, 2024 - 7:29 pm
Nga Agron Gjekmarkaj
Tek lexova lajmin e fundit se Ismail Kadare do të varroset në Tufinë diçka më sëmboi së brendshmi.
Me gjasë na goditi përsëri rastësia dhe nuk na gjeti të përgatitur.
Kadare është njeri si gjithë ne të tjerët por gjeni që ne të tjerët nuk jemi, kontribuues i pashoq ndaj vendit të tij dhe kulturës universale që ne tjerët nuk jemi dhe po shkon atje mes shumë vdekatarëve personaliteteve a njerëzve të zakonshëm, asnjëri si ai.
Kadareja ai i cili i dha Europës dhe Botës një Shqipëri plot sqime e madhështi, me kontë e baronë, me gjuhë të vjetër murgun Gjon roje të saj, me luftëra e përpjekje të mëdha në mbrojtje të cilivizimit e qytetërimit, me zonja e personazhe emërkumbues, po kaq i përfshiu qytetet e kontinentet nga Gjirokastra në Paris , nga Shkretëtira e Gobit në Moskë , nga Kruja e Skënderbeut në Stambollin e sulltanëve nga Tirana në Pekin, nga Prishtina ne Washington, nga Athina në Romë ,në letrat e veta , duke zbritur thellë në kohëra eskiliane e duke u ngjitura tek ato të Stalinit, Hrushovit, Mao Ce Dunit Enver Hoxhës, Klintonit, Miterranit, Kolit , Rugovës e shumë kujt tjetër nuk e meritonte kaq modesti qoftë edhe të perkohshme nga populli i tij.
Rruga e fundit që do të përshkruaj shkrimtari sa del pak nga qendra i ngjan një rruge të hapur nga nomadet në ikje duke lënë pas rrëmujë, pluhur e pisllëk.
Do dukemi në kamerat e botes së paku mosmirënjohës, sikur se paskëshim merituar atë vetë!
Shqipëria ka dhe duhet të kishte më shumë mundësi së aq.
Kombet e qytetëruara duke respektuar elitat e veta kanë çmuar progresin dhe krenarinë kombëtare. Çfarë është krenaria kombëtare? Vepra dhe bëmat e një grushti njerëzish në shekuj për vendin dhe popullin e vet a për humanizmin në përgjithësi.
Ndarja veç e tyre nuk është diskriminim për të tjerët por mirënjohje që të tjerët shfaqin për ta.
Vendet europiane kanë shumë prej tyre “Panteon” ku vendosin shkrimtaret , luftëtarët politikanet e shquar! Franca sidomos po edhe të tjerët!
Ato janë pika pelegrinazhi referimi e reflektimi pse jo dhe turizmi kulturor.
Ne kemi edhe eksperiencat e lënies pa varr apo në frigorifer. Për fat te keq s’kemi bërë asnjë përpjekje së paku për rilindasit tanë, shtetformuesit a luftëtarët. Mbase duke parë çfarë kompronisesh bëhen më mirë se “Panteoni” do të banalizohej pa masë ku çdo qeveri , çdo politikan , çdo kryetar bashkie a biznesmen do bënte qokat e veta dhe mbase do gjindej gjithmonë një mik për të futur njerëz në “Panteon” aq sa nuk do mbetej më askush për varrezat publike! Por prej motesh e kemi pranuar që Ismail Kadare është “sui generis” dhe përtej çdo politike kulturore në Shqipëri fati i tij nuk varet më vetëm nga ne, lexuesi shqiptar është një fetë në rrethin e madh.
Më shumë se duke nderuar Kadarenë nderojmë veten nëse atij i bëjmë respektin që meriton. “Lavdia e tij s’ka nevojë për asgjë e jona ka për të” patën shkruar francezet për Molierin! Vlen, vlen dhe për ne e Kadarenë! Nuk dua të bëj politikë në ditë si kjo por Qeveria shqiptare duhet të shpallë menjëherë një konkurs ndërkombëtar për një ansambël muzeal kushtuar Ismail Kadaresë ku aty të jetë dhe varri i tij. Tufina duhet të jetë e përkohshme, sa më shkurt , jo një e përkohshme që rri gjithë jetën.
Nuk është e lehtë se në Tiranë dy lulishte kanë mbetur një para Rognerit dhe një pas Kryeministrisë , megjithëse në Vlorë , Ati i shtetit tonë Ismail Qemali në një lulishte e ka banesën e fundit i veçuar siç i takon të jetë.
Një tjetër zgjidhje mund të realizohet në një kodër tek Parku i Liqenit se në qytet s’ka më tokë pËr asgjë veç pallateve! Kadare na ka nderuar gjithmonë, na ka dhënë, shumë madje, gjuhe , kulturë, identitet, krenari e patriotizëm le t’i japim dy metra dhe të denja! Mevlan Shanaj tha pas Skënderbeut ikja më e madhe ishte kjo, ndoshta ka përkufizuar të vërtetën. Kësaj të vërtete nderin që i takon pa ndoshta e sikur!!!/ KultPlus.com