30 Janar, 2025 - 10:03 am
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka çelur në mjediset e saj një ekspozitë të veçantë ku gërshetohen pikturat e Albana Shoshit me librat e bibliotekës së atit të saj, piktorit të madh Zef Shoshi.
Përveç krijimeve të piktores Albana Shoshi, në QKLL janë ekspozuar edhe dy nudo të rralla të babait të saj. Njëra prej nudove është e vitit të largët 1972, por realizimi në vaj i Zef Shoshit përmban ngjyra të ngrohta dhe një raport të tyre, të përkryer. Ajo ka nisur si një grafikë në ish-Akademinë e Arteve të Bukura, për të përfunduar në një tablo të veçantë dhe interesante.
Ekspozita që është si një takim brezash, përmban peizazhe, natyra të qeta e tablo të ngrohta familjare. Mjedisi plotësohet më një stendë të vogël librash, në rusisht e shqip, nga fondi i bibliotekës së të madhit Shoshi. Mes tyre gjenden në gjuhën origjinale dhe shqip “Lufta dhe Paqja” e Tolstoit, një përmbledhje poetike e Pushkinit, si edhe tregime të Çehovit në italisht, Molieri, poetë latinë etj.
Nuk mund të mungonin në bibliotekën e famshme edhe librat e Kadaresë, apo për Gjergj Fishtën, si dhe studime mbi etnografinë dhe artin vizual shqiptar./atsh/KultPlus.com