21 Mars, 2020 - 10:00 pm
Dihet se Perandoria Osmane i pushtoi viset shqiptare gjatë shekullit XV, kurse më vonë i pushtoi viset arabe gjatë shekullit XVI, përkatësisht nga viti 1516 e deri më 15711574, kur Sinan Pasha i Topojanit i nënshtroi Jemenin e Tunizinë, shkruan sot Koha Ditore.
Më vonë, me islamizimin e shqiptarëve, filluan të hapen shtigje të reja për qendrat e diturisë (Kajro, Damasku e Bagdadi), si dhe për Mekë e Medinë për shkak të haxhit.
Siç dihet, këto dy qytete të shenjta myslimane tërhiqnin shumë individë për të mbetur atje për gjithmonë, sikurse tërhiqnin disa dijetarë të qëndrojnë atje e të dëshmojnë veten në fushën e diturisë. Në këtë kontekst kemi dy shqiptarë, Hasanin e Ibrahimin, babë e bir, dijetarë e poetë, që ranë viktima të reaksionit shoqëror e politik në fund të sundimit osman.
Hasani e Ibrahimi u bënë të njohur atje me mbiemrin al-Uskupi, pra Shkupjani, që tregon qartë prejardhjen shqiptare që nuk e fshihnin. I ati i Hasanit, pra gjyshi i Ibrahimit, i cili quhej Husein, ishte ai që shkoi në Medinë në dekadën e dytë të shekullit XIX dhe mbeti atje. Siç duket, Huseini shkoi atje me ose në kohën e ekspeditës së Mehmet Ali Pashës kundër vehabinjve 18111819, e cila u kurorëzua me përfshirjen e Hixhazit nën sundimin e tij. Me vendosjen e Huseinit atje u krijua një familje e madhe që numëron tani qindra anëtarë që ende i bashkon dhe i bën të njohur mbiemri i tyre i përbashkët: alUskupi.
Observatori i parë në Hixhaz
Djali i parë që u lind në Medinë ishte Hasani, rreth vitit 1818. Ai u rrit në Medinë, që ishte edhe qendër e shkencave islame, e me kohë përparoi në ato shkenca saqë u bë imam dhe hatib i Xhamisë së Profetit në Medinë, aty ku është varri i Profetit Muhamed, ndaj një funksion i tillë kishte shumë domethënie. Në krahasim me teologët e tjerë, Hasani e dinte ku i kishte rrënjët, ndaj udhëtoi në shumë vende në Ballkan duke parë përparimin shkencor.
Kështu, ai e mori me vete një observator dhe e vendosi atë në kulmin e shtëpisë në Medinë për të zhvilluar njohuritë në astronomi. Mirëpo, me këtë aktivitet shkencor Hasani hasi në pengesa dhe kritika të reaksionit fetar. Duke qenë në një funksion të lartë për atë shoqëri, pra imam dhe hatib në Xhaminë e Profetit, teologët konservativë që nuk kishin lidhje me përparimin e botës në atë kohë, shikonin me dyshim interesimin e Hasanit për poezi, logjikë e astronomi, për observimet e tij përnatë në gjithësi duke marrë shënime të ndryshe. /KultPlus.com