Dy vite nga vdekja e mjeshtrit të baletit shqiptar, Albert Janku

18 Dhjetor, 2024 - 7:00 pm

Një prej figurave më të spikatura të baletit, “Artisti i Merituar” Albert Janku ka vdekur para dy vitesh, në moshën 83-vjeçare.

Ai ishte një ndër solistët e parë të baletit shqiptar, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm nderi në jetën artistike dhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Janku e nisi karrierën në vitin 1955 si kërcimtar e si solist i baletit dhe për 40 vite me radhë i dhuroi skenës shqiptare me dhjetra role. Spikasin rolet në baletet kombëtare si atë të Jonuz Bruges në baletin “Bijtë e Peshkatarit”, të komisarit në baletin “Fatosi Partizan” të Benit në rapsodinë koreografike “Historia e një kënge”, atë te Bektash Agës në baletin “Halili dhe Hajria”, të Don Markut në baletin “Cuca e Maleve”.

Gjithashtu, Janku ka qenë interpretues i shumë roleve edhe në baletet e huaja të vëna në skenë nga Teatri i Operas dhe Baletit si në baletin “Francesca da Rimini”, baletin “Lola”, “Fadeda”, “Zhurale”, “Laurencia”, “Don Kishot: etj.

Albert Janku ka marrë pjesë edhe në një seri numrash koncertalë të dhëna në TKOB dhe jashtë kufijve të vendit me trupën e baletit dhe atë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku ka spikatur talenti i tij duke marrë vlerësime nga kritika e publiku.

Ai është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, edhe pse në moshë të thyer nuk u shkëput nga ky teatër, duke ndjekur me vëmendje çdo shfaqje që është vënë në skenë. Nuk ka munguar kontributi i tij edhe në fushën e pedagogjisë, si koorepetitor, konsulent në mjaft balete, autor i shumë artikujve mbi baletin, portrete artistësh e monografish./KultPlus.com

Të ngjajshme