8 Nëntor, 2024 - 7:00 pm
Në Muzeun e Arteve të Bukura në Tiranë vijojnë intensivisht punimet për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja inspektoi sot punimet që po kryhen në këtë kantier,
“Me dyfishimin e hapësirave të ekspozimit, rritjen e hapësirave për ruajtjen e veprave, laboratorëve të restaurimit e shumë ambienteve të reja, muzeu do të ofrojë kushte të shkëlqyera për artistët dhe vizitorët”, u shpreh Gonxhja.
Godina ekzistuese do të trajtohet me restaurim total si nga ana e rikonstruksionit, edhe të fasadës, duke ruajtur identitetin arkitektonik, ndërsa si shtesë e këtij projekti është menduar edhe një godinë e re.
Gonxhja theksoi se standardet në shumë prej godinave të para viteve ’90 kanë rezultuar me probleme, si në rastin e Muzeut Kombëtar apo në Muzeun e Krujës, ku ka probleme nga lagështia.
Ministri kërkoi përshpejtim me volumin e punimeve, pasi sipas tij, komuniteti artistik është në pritje të një hapësire që i mungon shumë.
Në përfundim të punimeve, Muzeu i Arteve të Bukura do të ofrojë një godinë me standardet më të mira si nga ana sizmike, ashtu edhe në drejtim të sistemit antizjarr e kundër lagështirës./atsh/KultPlus.com