30 Mars, 2021 - 9:26 pm
Për Konferencën e Parë Shkencore e Diasporës Shqiptare, në The Academy of Leadership Sciences Switzerland ALSS; “Shkenctarët e Disaporës Shqiptare i shërbejnë botes dhe rrënjeve të veta!”
Shkruan Islam Qerimi
Gjurmët më të vjetra të jetës njerëzore të Shqipërisë së sotme na kthejne mbrapa plot 120,000 vjet mbrapa. Gjetjet e pasura arkeologjike dëshmojnë se zona të Shqipërisë së sotme deri në 10,000 vjet p.e.s duhet të kenë qenë të banuara vazhdimisht (Bartl, Peter (1995): Albanien. Vom Mittelalter bis zur Gegenwart. Regensburg. f. 18).
Siç dihet e drejta zakonore është aplikuar tek shqiptarët gjatë. Periudha kohore e cila është aplikuar për herë të parë është e pamundur të përcaktohet saktesisht. Megjithate, ajo supozohet se ka lindur shumë heret e kjo kohe duhet të ketë qenë në kohën e Ilirëve. Në atë periudhë kohore janë aplikuar disa institute të cilat kanë qenë ndër shekuj të një rëndësie të veçantë për funksionimin e kësaj të drejte të pashkruar. Kështu p.sh. qysh në atë kohë ekzistonte termi Plaku dhe Plakonia. Këto terme nuk paraqitnin vetem personin e rritur, respektivisht me moshën e shtyer, por kishte të bente me një person, i cili konsiderohej si organ institucional, që ndante drejtësinë në konfliktet e paraqitura në mes të njerëzve në fusha të ndryshme.
E drejta zakonore sipas hulumtimeve (të autorit të këtij punimi) është aplikuar edhe në periudhat e humbjes së pavaresisë së shtetit Ilir (viti 167 p.e.s ramja e Shkodres). Mirëpo edhe pas kësaj faze Senati romak kishte vendosur që shqiptarët të vazhdonin të mbesin autonom, përderisa ata të merrnin pjesë në betejat e romakëve kundër armiqëve të Romës.
Keshtu, që ne burimet e së drejtes romake, gjenden të dhëna për lejimin e aplikimit të së drejës zakonore vendore të Ilirëve. Gjithashtu, edhe në periudhen e Bizantit aplikohej e drejta zakonore shqiptare. Më tutje në kohën e sundimit të Bullgareve dhe të Perandorisë Osmane gjenden shumë burime të cilat dëshmojnë mbi aplikimin e së drejtës zakonore në territoret shqiptare paralel sistemeve juridike – shtetërore të tyre.
Kështu në periudhen s sundimit të Perandorisë Osmane, burime themelore të te se drejtes zakonore shqiptare ishin kanunet. Në territoret shqiptare aplikoheshin një mori kanunesh, por më të njohurat ishin Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Arbërit (Skendërbeut) edhe Kanuni i Labërisë. Me karakter regjional vepronin edhe një mori kanunesh tjera. Institutet e përgjithshme të këtyre kanuneve ishin të ngjashme. Kështu si institute të përbashketa konsideroheshin : besa, nderi, mikpritja, burrëria, ndorja, gjakmarrja dhe hakmarrja. Nga këndvështrimi i sotshëm këto institute ndahen në pozitive dhe ato negative. Në ato pozitive bënin pjesë: besa, nderi, mikpritja dhe burreria, ndersa në ato negative do të hynin: gjakmarrja, hakmarrja dhe pabarazia gjinore.
Për ekzistimin e kanunit dhe në përgjithesi për të drejtën zakonore shqiptare, është shkruajtur nga studiuesit vendor e sidomos ata të huaj gjatë shekujve XIX dhe XX. Ndër ta ishin së pari Karl Kaser, Karl Steinmetz, e më tutje Johann Georg von Hahn, Mary Edith Durham, Leo Freundlich, Franz Baron Nopcsa, Kazuhiko Yamamoto, Margaret M. H. Hasluck, Peter Bartl, Salvatore Villari, Stephanie Schwandner-Sievers, Robert Elsie, at Shtjefën Gjeçovi, Ismail Kadare, Faton Baxhaku, Syrja Pupovci, Ismet Elezi, Diana Gëllci, Ndue Dedaj etj.
Kodifikimin, respektivisht përmbledhjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit e ka bërë at Shtjefën Gjeçovi. Ai së pari ka publikuar fragmente me normat e këtij Kanuni në revistat shqiptare që ishin hapur në shtetet e huaja, ndërsa Kanunin në 12 libra e kishte hartuar në pjesën e parë të shekullit XX-të. Përberja, respektivisht strukturimi i këtij Kanuni ishte i ngjashëm me 12 librat e Kodit të Justinianit (Perandorit romak me prejardhje ilire), i cili ishte hartuar në shekullin e VI-të.
Kanuni si burim kryesor i së drejtës zakonore shqiptare në vete ishte një kushtetutë apo, siç thoshte profesori Ejup Statovci edhe më shumë se kushtetuta, meqenëse në te përmbante norma shoqërore e juridike prej lindjes së njeriut e deri në vdekje. Pra, kanuni përmbante rregulla nga e drejta civile (familjare, trashëgimore, detyrimore dhe sendore), e drejta penale (fajësia, përgjegjësia civile dhe penale, pleqëria, djalëria, sanksionet etj), e drejta administrative (organizimi dhe funksionimi i organeve vetëqeverisëse qysh nga familja, fisi, katuni dhe flamuri. Në krye të kanunit ishte caktuar shtëpia e Gjon Markut në fshatin Orosh të Mirditës. Ajo familje kishte rolin e gjykatës supreme dhe kushtetuese. Vendimi i kësaj dere ishte përfundimtar, respektivisht i formës së prerë.
Në lidhje me ekzistimin e normave religjioze nëpër kanune duhet potencuar se ato kanë ekzistuar por ndikimi i tyre ka qenë i ndryshëm. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, i hartuar nga at Shtjefën Gjeçovi libri i parë i përket të drejtave të kishës dhe detyrimeve të njerëzve ndaj saj. Në këtë kanun përcaktohej roli i jashtëzakonshëm i kishes me paprekshmëri dhe privilegjet e saj.
Gjithashtu, një fakt tjetër për ta përmendur është edhe pabarazia gjinore. Gruaja sipas kanunit shqiptar ishte e pabarabartë në raport me burrin. Ajo piksëpari ishte e përjashtuar nga e drejta e trashëgimit qoftë tek familja e prindërve e qoftë edhe tek familja e burrit. Më tutje ajo kishte edhe shumë kufizime dhe ndalesa tjera në mundësinë e ushtrimit apo krijimit të raporteve juridike. Kështu p.sh. ajo nuk gëzonte të drejtën të ishte pjesëtare e organeve gjyqsëore (Pleqëria dhe këshillat e pleqëve) të mbështetura në dispozitat juridike të së driejtës zakonore shqiptare (shih librin XI i Kanunit të Lekë Dukagjinit). Megjithate, ajo nëse hynte në mes palëve në konflikt të drejtpërdrejtë të armatosur palët ishin të detyruara të pushonin zjarrin menjëherë. Poashtu, nëse vritej apo cenohej nderi i ndonje gruaja, autori i këtyre veprave penale do të pergjigjej dyfish, para dy familjeve, si të burrit e poashtu edhe të prindit
Ndërsa, këto kanune vepronin historikisht në territoret shqiptare, ato kishin rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, mosasimilimin dhe atdhedashurinë.
Përderisa pothuajse të gjithë studiuesit e huaj dhe vendor në kohen kur aplikohej e drejta zakonore, respektivisht kanunet shqiptare, kishin një qasje dhe pikpamje pozitive për te, ndërsa tani në kohët e fundit, e sidomos në fillim të shekullit XXI, disa autorë të huaj e shohin atë nga këndvështrimi joshkencor me qasje negative. Kështu vlen të përmendet p.sh. disertacioni i Dr. Nina Florack, i paraqitur dhe i mbrotjur në Universitetin e Mynsterit ku ka proklamuar tezen se “kanuni shqiptar është strumbullari i së keqes, në bazë të të cilit është ndërtuar struktura organizative e grupeve të sotshme kriminale “Mafia shqiptare””. Në këtë disertacion ajo pretendon se “Mafia shqiptare” është brutale në raste të përdorimit të dhunës, e kjo vie si rezultat i historikut të gjakmarrjeve të lejuara sipas kanunit shqiptar. Kjo tendencë për ta paraqitur kanunin dhe të drejtën zakonore shqiptare si strumbullar i dhunës dhe brutalitetit të “Mafias shqiptare” është kundërshtuar nëpërmes gjuhës së argumenteve shkencore të hartuara dhe të publikuara në recenzionin e autorit të këtij artikulli, në revistën online : Polizei-newsletter.de, e redaktuar nga Prof. Dr. Thomas Feltes, M.A, në Fakultetin Juridik i Universitetit Ruhr të Bohumit.
Ajo në fakt harron ose nuk e din se kanuni kishte të bëjë me respektimin dhe zbatimin e së drejtës për tërë popullatën, ndërsa mafia ka primare anarkinë, gjegjësisht padrejtësinë dhe veprimet kundër të së drejtës, të cilat përdoren me veprime kundërligjore. Të gjitha institucionet e themeluara në bazë të së drejtës zakonore janë deri dikund në baza demokratike, përderisa mafia ësht ëkrijuar në bazë të anarkisë. Poashtu në lidhje me besen, autorja e lartpërmendur pretendon faktin se “ky institut kanunor shqiptari ka shërbyer mafisë” pasi që gjithnjë sipas saj “ata në një mënyrë lidhin marreveshjen per te realizuar nje krim”, përderisa besa shkencërisht e ditur dhe e vërtetuar, ka pasur krejt një qëllim tjetër gjate funksionimit të së drejtës zakonore. Ky institut shërbente të arrihej dhe ruhej paqja, ndalej lufta. Ky institute vepronte edhe kur beteja e palëve zhvillohej me armë, kur edhe në qoftë se në njëren ane ishin të mbetur të vrarë nga pala kundërshtare 100 persona e në tjetren ane pa asnjë të vrarë, po sa te hynte një grua në mes të palëve në konflikt armët e tyre pushonin ne menyre automaitike. Besa mundësonte edhe lëvizjen e lire të familjeve në hasmëri etj.,.
Më tutje, në punimet e tyre serbët Lekën e konsiderojnë si “trim serb (Canon Lex Dux Ivan) i cili ka përkrahur Skënderbeun dhe ka kodifikuar të drejtën zakonore serbe”, e cila sipas tyre “burimin e ka në Kodin e Dushanit”, duke e bërë ate të dallueshme nga e drejta turke. Një tëndencë e tillë me motive politike kundër kanunit që është burim dhe e drejtë autoktone e së drejtës zakonore shqiptare, eshte paraqitur edhe në revisten kroate Zbornik, të Fakultetit Juridik, ku recenzionisti e refuzon pranimin dhe publikimin e punimit me këtë tematikë, kinse me faktin se historianët serbë konstatojnë se Kanuni i Lekës dhe vet Lekë Dukagjini i perkasin gjenetikes serbe dhe të drejtës mesjetare të tyre.
Duhet theksuar se ndër shume faktet tjera që (nga autori i këtij artikulli) janë përmendur në atë punim shkencor për revistën Zbornik të Rijekes dhe për shumë libra dhe revista në Gjermani, Austri, Kroaci etj, janë sjellur shumë të dhëna të argumentuara shkencërisht, që e pohojnë se Kanuni i Lekë Dukagjinit është burim i së drejtës zakonore shqiptare i cili edhe pse mund të ketë qenë në ndonjë normë i influencuar nga të drejtat tjera zakonore të popujve fqinjë. Vlen të theksohet se takasativisht në Kodin e Car Dushanit (shek XIV) nuk gjendet asnjë normë juridike e cila ka të bëjë me gjakmarrjen. Në këtë kod mesjetar serb inkriminohet secili që nuk u përmbahet normave të përcaktuara në te. Ndërsa në përgjithësi Sllavët e vjetër në rastet e vrasjeve e caktonin çmimin e kokës për ta lehtësuar punën e pajtimit.
Prandaj, duhet potencuar se kanuni dhe e drejta zakonore kanë qenë të rendesishme per kohën që ishin te aplikuara, por që nga periudha kohore e krijimit të shtetit shqiptar e sidomos pas vitit 1928 e kendej kur u fillua me hartimin e legjislacionit modern shqiptar në fushat e ndryshme juridike, kanuni në përgjithesi vendin e tij e gjen vetëm në arkivat dhe muzet historike kombëtare dhe do të duhej të ishte edhe në mbrojtje të UNESCOs.
Përderisa, tani fatkeqësisht është ngatërruar koncepti i kanunit dhe së drejtes zakonore edhe nga vet shqiptaret, pasi që përderisa, shume sulme dhe vrasje të cilat ndodhin jo vetem ndaj burrave, por ato po ndodhin edhe ndaj grave dhe fëmijëve e dëshmojnë të kundërtën që kishte kodifikuar kanuni shqiptar. Në kanun jo vetëm që vrasja ndalohej shprehimisht të shkaktohej në mënyrë mizore, torturuese apo tinzare, ajo sot mjerisht kryhet pa zgjedhur mjetin e sulmit, personin dhe mënyrën apo formën e kryerjes.
Gjithashtu, si perfundim vlen të rrumbullaksohet, se ruajtja e zakoneve të mira shqiptare siç janë p.sh. besa, mikpritja në kontekstin modern, të krahasueshme me rregullat e së drejtës kontraktore dhe ato të së drejtës ndërkombëtare publike se kontratat, respektivisht marrëveshjet e ndryshme të palëve duhet të respektohen sipas parimit Pacta sunt servanda apo kur bëhet fjalë për mikpritjen do të vlente sot për të avancuar sektorin e turizmit e ku do të vlente gjithashtu rregulla e vjetër shqiptare që Shtëpia është e Zotit dhe e mikut, ndërsa tani do të thuhej që Shqipëria është e Zotit dhe e mikut./ KultPlus.com