20 Nëntor, 2019 - 2:00 pm
Dashuria për Shqipërinë, kulturën dhe muzikën shqiptare është kthyer në mision për çiftin shqiptaro-amerikan. Mario Rrapaj nga Vlora dhe Carson Dorsi nga Amerika janë një çift bashkëshortësh që jetojnë në Dallas, Texas në SHBA dhe ku po i kushtojnë rëndësi të veçantë promovimit të artit, kulturës e muzikës shqiptare atje.
Dorsi e njohur ndryshe si “Albanian Girl” është soprano amerikane, e cila tani në repertorin e saj përfshin vetëm këngë në gjuhën shqipe. E pranishme në një konkurs të sipërmarrësve të muzikës, në Universitetin e Texasit të veriut, ajo paraqiti një projekt për zhvillimin e një database të muzikës shqiptare në mënyrë digjitale, i cili u vlerësua me 2 çmime.
Bashkëshortët prej disa kohësh kanë themeluar edhe fondacionin kushtuar muzikës shqiptare, “International Albanian Music Foundation” ndërsa në të ardhmen kanë ambicie për zhvillimin e një projekt të rëndësishëm në krijimin e një platforme për shqiptarët në Diasporë me muzikë shqiptare. / KultPlus.com