8 Qershor, 2021 - 1:43 pm
Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim është përfshirë në një replikë të pazakontë në rrjetet sociale me një komentues, i cili e ka etiketuar atë si ‘kineze’.
Yuri Kim postoi një ditë më parë një foto me këngëtaren Ermira Babaliu në qytetin e Pogradecit, ndërkohë që një prej ndjekësve të saj në Instagram ka shkruar për dashurinë “shqiptaro-kineze”. ‘Dashuria Shqiptaro-Kineze është një histori e vjetër dhe e bukur”, shkruan komentuesi në “Instagram”.
Nga ana tjetër, Ambasadorja e SHBA-ve, i ka kthyer përgjigje ndjekësit, madje ka shkuar më tej duke e ftuar atë për një bisedë në zyrën e ambasadës Amerikane. Në mesazh, Kim thekson se do e sqaronte ndjekësin për Kombin e saj, ndërkohë që ai duhet t’i tregonte pse mendonte se ajo ishte ‘kineze’.
“Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’iu tregoj për historinë krenare të vendit tim si një “Komb i Emigrantëve”, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam “kineze. Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë”, shkruan në replikë ambasadorja. Pas ftesës për një kafe dhe një bisedë në ambasadë, komentuesi e ka konsideruar vetën si njeriun më me fat në Shqipëri.
“Jam njeriu më me fat në Shqipëri! Askush nuk ka marrë një ftesë publike nga Ambasada Amerikane për një kafe dhe një bisedë të sinqertë! Unë e vlerësoj shumë ftesën tuaj zonjë, ne do të flasim për kulturat tona dhe të tjera. Zoti bekoftë Amerikën.”, shkruan komentuesi. / Mapo / KultPlus.com